Kurti: Beteja e Koshares është një nga më të rëndësishmet në luftën e Kosovës për liri

schedule11:45 - 9 Prill, 2023

schedule 11:45 - 9 Prill, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sot betejën e Koshares dhe momentin e thyerjes së kufirit Kosovë-Shqipëri.

Kurti ka potencuar se në historinë e luftës për çlirimin e vendit, beteja e Koshares mund të shihet edhe si një panoramë e të gjitha betejave.

Bashkë me përmasat e saj në luftime, trupa dhe shtrirje territoriale, kryeministri ka shkruar se beteja e Koshares është një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në luftën e vendit për liri.

“Beteja e Koshares i ka garantuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një nga meritat më të veçanta të luftës, atë të thyerjes së kufirit mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë, të vendosur më 1913 dhe të rivendosur disa herë ndër vite, që i kishte mbajtur të ndarë shqiptarët për gati një shekull. Qysh atë kohë lufte, kjo e lehtësoi kalimin e armatimeve dhe të trupave vullnetare të UÇK-së nga territori i Republikës së Shqipërisë drejt Kosovës. Kurse pas përfundimit të saj njëkohshëm me vetë luftën, kjo betejë i përbashkoi fizikisht shqiptarët. Mes nderimeve për dëshmorët e lirisë, sot themi lavdi për dëshmorët e rënë në luftimet e Betejës së Koshares si dhe nderime atyre të plagosurve që nga atëherë e deri sot kanë bartur plagët e luftës për lirinë e Kosovës. Kujtime e histori, nderime dhe krenari!”, ka shkruar ndër të tjera Kurti në Facebook.

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës./Kosova Press