Gjykata vendos, agjenti i FBI-së do të dalë i maskuar para shqiptarit

schedule09:39 - 15 Gusht, 2019

schedule 09:39 - 15 Gusht, 2019

Një gjyqtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka urdhëruar që një agjent i FBI-së të maskohet në kohën kur do të japë dëshminë ndaj Fabjan Alametit. Shqiptari u arrestua pasi akuzohet si mbështetës i ISIS dhe dyshohet se do të kryente sulme terroriste në Amerikë.

Ndërkohë prokurori federal kërkoi që seanca gjyqësore ku pritet të jepet dëshmia e agjentit të kryhej me dyer të mbyllura. Por Gjyqtarja Dana Christensen vendosi  të kundërtën. Ajo lejoi që agjenti të dalë i maskuar me paruke ose kapele, syze dhe qime false në fytyrë në mënyrë që t’i mbrohet identiteti.

FBI-ja pretendon se Alameti ka dashur të bashkohet me ISIS-in dhe donte të sulmonte civilë amerikanë në shenjë hakmarrjeje për sulmin në dy xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë 50 persona.

Ai u arrestua në Prill në një poligon armësh në Bozeman. Sipas hetuesve, shqiptari shkonte aty për të marrë armë dhe për t’u praktikuar me një pushkë gjysmë automatike. Alameti u kap pasi komunikoi me një agjent të infiltruar të FBI-së, të cilin e informoi për planet e tij për t’iu bashkuar ISIS dhe për të sulmuar në tokën amerikane./abcnews.al