Disa vatra zjarri janë ndezur në disa rrethe të vendit. Shkaku kryesor kanë qenë temperaturat e larta dhe pakujdesia e banorëve. Në Ersekë, Borsh dhe në Kukës vatrat vazhdojnë të jenë aktive.
Temperaturat e larta nuk mund të kalojnë pa flakët. Vatra të forta zjarri këto ditë janë ndezur në pyje e kullota.
Në Kukës një masiv pylli u përfshi nga flakët mbrëmjen e së martës duke djegur rreth 6 mijë metra katrore. Vatra e zjarrit u shfaq në Orçikel të njësisë administrative Zapod. Banorët e zonës u angazhuan. Më pas kanë mbërritur edhe punonjës të shërbimit zjarrfikës si dhe ato të Zonave të Mbrojtura.
Pas shumë orësh përpjekje zjarri u vu nën kontroll ndërsa policia lokale e Kukësit ka nisur hetimet për shkaqet.
Paraprakisht mendohet nga një pakujdesi njerëzore e ndihmuar edhe nga temperaturat e larta.
Një zjarr masiv ra edhe në fshatin Boshanj të Ersekës. Më shumë se 15 hektarë me dushqe dhe pisha janë djegur.
Bëhet e ditur se janë shtatë vatra zjarri dhe zjarrfikëset e kanë patur të vështirë të hyjnë në këtë terren malor.
Vatra zjarri janë shfaqur në të gjithë vendin. Një ditë më parë një zjarr i madh ra në rrugën Korçë-Kolonjë, në vendin e quajtur Antenat. Aty banorët po pastronin tokat, duke djegur barishtet. Zjarre ka patur në Borsh të Sarandës, Gjirokastër, Shkodër, Fier etj./ABC News Albania 24/7