Në një takim tripalësh me presidentin francez Macron dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, ajo tha se nuk e sheh “shkëputjen nga Kina” si një strategji të zbatueshme ose të dëshirueshme për zbutjen e marrëdhënieve Kinë-BE.
Por ajo paralajmëroi se ka një sërë rreziqesh dhe çekuilibërash kritikë në marrëdhëniet ekonomike mes BE-së dhe Kinës për të cilat duhet folur. Marrëdhëniet midis BE-së dhe Kinës kanë qenë të ftohta që nga viti 2021, kur ngecën negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Investimet (CAI), e cila synonte të sillte përfitime për të dyja palët.
Joerg Wuttke, presidenti i Dhomës së Tregtisë së BE-së në Pekin, i cili u takua me von der Leyen para takimeve të saj me zyrtarët kinezë, tha për DW se ratifikimi i CAI-t ishte kyç për kompanitë kineze pasi ato do të përfitonin prej kësaj marrëveshjeje. Por ai tha se objektivi kryesor për Ursula von der Leyen ishte aktualisht përmendja e disbalancave tregtare në një fushë gjeopolitike të minuar.
“Evropianët i duan produktet kineze dhe shitjet e mallrave kineze në tërësi kanë qenë të jashtëzakonshme. Vitin e kaluar Kina dërgoi 6.4 milionë kontejnerë në Evropë, ndërsa BE dërgoi vetëm 1.6 milion kontejnerë në Kinë,” tha ai, duke shtuar se investimet e BE-së në Kinë kishin rënë me 50%.
Von der Leyen i pranoi këto çështje dhe u tha gazetarëve pas takimit të saj me Xi se ajo kishte bërë thirrje për rifillimin e dialogut ekonomik BE-Kinë. Sipas televizionit shtetëror kinez CCTV, Xi tha se Kina dhe BE-ja duhet të krijojnë mirëkuptim “korrekt” të ndërsjellë dhe të shmangin keqkuptimet dhe gjykimet e gabuara.
Tensionet në ngushticën e Tajvanit
Vizita e von der Leyen dheMacronu zhvillua jo vetëm në një kohë që zhvillohet lufta në Ukrainë, por edhe në një kohë tensionesh në ngushticën e Tajvanit.
“Stabiliteti në ngushticën e Tajvanit është i një rëndësie të madhe,” u tha von der Leyen gazetarëve, duke nënvizuar se askush “nuk duhet të ndryshojë në mënyrë të njëanshme status quo-në me kërcënimin e forcës në këtë rajon dhe tensionet duhet të zgjidhen përmes dialogut”./DW