MAL I ZI- Raundi i dytë i zgjedhjeve në Mal të zi, të cilat u zhvilluan ditën e djeshme i dhanë fund dominimit prej 3 dekadash të Milo Gjukanoviç. Në karrigen e presidentit më 21 maj do të ulet Jakov Millatoviç pas fitores bindëse ndaj kundërshtarit të tij politik.
Por çfarë do të thotë për shqiptarët kjo fitore e presidentit të ri në Mal të Zi? Gazetarja Linda Karadaku zhvilloi një intervistë me Nikollë Camaj, kryetarin e Lidhjes Demokratike Shqiptare në Mal të Zi, i cili tha se trendi i votave tregoi se jo vetëm shqiptarët, por dhe pakicat e tjera, kanë rezerva ndaj kreut të ri të shtetit.
Sipas tij, Millatoviç do ta ketë sfidë kryesore arritjen e një harmonie mes pakicave që jetojnë në Mal të Zi.
“Procesi zgjedhor tregoi se shqiptarët dhe pakicat kanë rezerva me kryetarin e ri. Ai do të ketë një problem të madh, për të bërë një lloj harmonie, që pakicat të ndihen komod”, tha ai.,
Më tej, Camaj tha se pavarësisht se kush është në krye të presidencës apo qeverisë, shqiptarët duhet të bëhen partnerë të tyre dhe të mbrojnë me guxim arritjet e tyre ë deritanishme.
“Pa marrë parasysh se cila do jetë sjellja e presidentit të ri apo qeverisë, Shqiptarët duhet të jenë partner i qeverisë dhe të angazhohen për të drejtat e tyre. Këtu, të mos lëshojmë pe nga të arriturat, por të synojmë ato që dum të arrijmë këtë dhe në Evropë”, shtoi ai./n.m. abcnews.al