Qeveria e ka përqendruar aksionin kundër informalitetit ne sektorin e akcizës, ku fokusin kryesor e kanë marrë karburantet.
Mos deklarimi i 233 mijë litrave benzine ne depozitat e Porto Romanos, i kushtoi një gjobë të majme një kompanie hidrokarburesh.
Një prej subjekteve më të mëdha në fushën e karburanteve është gjobitur me 350 mijë euro për shkak të mos deklarimit të saktë te sasisë që iu gjet në depozitat e Porto Romanos në Durrës.
Masa administrative ndaj këtij subjekti u vendos në prani të ministres së Financave, Anila Denaj dhe drejtorit të përgjithshëm të doganave, Arlind Gjokuta.
Aksioni kundër informalitetit, i nisur muajin e fundit nga qeveria, ka për qëllim edhe zbulimin e masës në të cilën është abuzuar nga subjekte të caktuara me detyrimet që kanë ndaj buxhetit të shtetit.
Përpara se inspektorët tatimorë të trokasin në dyert e bizneseve, ministrja Denaj kishte një apel të fundit.
Ministrja e Financave paralajmëroi se në ditët e ardhshme do të ketë kontrolle edhe në të gjithë subjektet që bëjnë pjesë në sektorin e akcizës ku përfshihen cigaret, pijet alkoolike dhe kafeja./ABC News Albania 24/7