Bashkia e Tiranës nuk heq dorë. Kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet.
“Teatri do të bëhet, ky është një angazhim edhe një përkushtim i pazëvendësueshëm e i panegociueshëm. Të gjithë ata që mundohen të bllokojnë këtë proces më kujtojnë se janë i njëjti grup që kanë qenë edhe tek lodrat te liqeni, edhe te Pazari i ri, edhe kur kemi ndërtuar shkollat, edhe kur ndërtuam bulevardin, edhe kur punuam për zgjatimin e Lanës, edhe kur bëmë Bulevardin e Kasharit. Pra, është i njëjti grup i cili shëtit dhe thotë mos prek këtë, mos prek atë”.
Brezi i ri nuk do të mbetet peng i nostalgjive të së shkuarës tha Veliaj pasi inspektoi këndin e ri te lojërave ndërtuar në Njësinë Administrative numër 8.
“Tirana e së ardhmes nuk do vetëm rrugë, sheshe, asfalt, Tirana e së ardhmes do edhe kulturë. Kjo do të thotë që Tirana e së ardhmes do edhe një teatër të ri. Nuk mund t’ju themi fëmijëve që për nostalgjinë që kanë ca për tallashin, për shkrepëset, për algat dhe populitin e një teatri që është kthyer sot në një karakatinë, ju do vazhdoni të shkoni në kushte të tilla”.
Sheshi i ri plotëson nevojat e të gjithë grup moshave të komunitetit në zonë dhe ka një sipërfaqe prej 380 m2./ABC News Albania 24/7