Francezët vazhdojnë të jenë të zemëruar për shkak të ndryshimeve të shumta në vendin e tyre, duke kërkuar anulimin e vizitës së Mbretit Charles.
Sipas burimeve diplomatike të Buckingham, protestat mund të ndikojnë në planet për vizitën e parë zyrtare të mbretit Charles që nga marrja e fronit, javën e ardhshme.
“Ne po monitorojmë nga afër situatën dhe po marrim këshilla nga Ministria e Jashtme dhe pala franceze”, tha burimi.
“Mund të preken çështjet logjistike.”
Në të njëjtën kohë, deputetët e opozitës kërkojnë anulimin e vizitës.
“E pabesueshme! Ne do të kemi Emmanuel Macron, monarkun, i cili do të mirëpresë mbretin Charles III në Versajë ”, tha Sandrine Rousseau, deputete e partisë Ekologe.
“ Sigurisht që ai duhet të anulojë vizitën e tij. A është me të vërtetë një prioritet për të mirëpritur Charles III në Versajë?’ , tha ajo.
Sipas planeve deri më tani, Mbreti Charles do të udhëtojë në Francë të dielën. Udhëtimi i tij përfshin një vizitë në Musée d’Orsay dhe darkë në Pallatin e Versajës.
Ai gjithashtu do të marrë pjesë në një ngjarje në Arc de Triomphe përpara se të niset me tren për në qytetin e Bordeaux. Presidenca franceze njoftoi se programi i mbretit ende nuk është finalizuar.
Në të njëjtën kohë, vendi është në kaos, pas rritjes të moshës së pensionit nga Emmanuel Macron, i cili përdori dispozita të veçanta kushtetuese.
Kazanët e plehrave dhe barrikadat u dogjën në protestat në Paris dhe qytete të tjera anembanë vendit të martën në natën e gjashtë të përleshjeve mes protestuesve dhe policisë.
Demonstruesit tashmë janë përleshur me policinë në Versajë, ndërsa policia i ka penguar ata të avancojnë drejt ndërtesës, e cila u ndërtua në shekullin e 17-të gjatë mbretërimit të Louis XIV.
Në të njëjtën kohë, grevat e vazhdueshme kanë prekur sektorin e naftës në vend, transportin publik dhe grumbullimin e mbetjeve, kryesisht në Paris, dhe janë më të rëndat që nga protestat e “Jelek Verdhëve” katër vite më parë.
/abcnews.al