Beteja për Bakhmutin vazhdon, teksa BE-ja diskuton për municionet për Ukrainën

schedule09:39 - 20 Mars, 2023

schedule 09:39 - 20 Mars, 2023

Forcat ukrainase kanë zmbrapsur sulmet e reja ruse në Bahmut në 24 orët e fundit, tha Kievi më 20 mars.

Beteja për këtë qytet të shkatërruar ukrainas, që gjendet në rajonin lindor të Donjeckut po vazhdon, teksa ministrat e Bashkimit Evropian më 20 mars po përgatiten të diskutojnë për një plan prej 2 miliardë eurosh për furnizimin me municion, që Ukraina ka shumë nevojë.

Forcat ruse kanë kryer 69 sulme në ditën paraprake në Bahmut dhe në vendbanimet afër, në Avdijivka, Liman, Marjinka dhe Shahtarsk, tha Shtabi i Përgjithshëm i forcave ukrainase.

Sipas ushtrisë ukrainase, forcat ruse kanë vazhduar të sulmojnë vendbanimet civile në rajonet e Donjeckut dhe Zaporizhjës, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve dhe duke dëmtuar infrastrukturën.

Në pjesët e pushtuara nga Moska në rajonin jugor të Hersonit, ushtarët rusë që gjenden në pika të kontrollit po detyrojnë civilët që të pajisen me pasaporta ruse, duke i kërcënuar ata me dhunë dhe burgim, u tha në njoftimin e ushtrisë ukrainase.

Pjesët perëndimore të Hersonit, përfshirë qytetin e Hersonit, u çliruan nga forcat ukrainase nëntorin e vitit të kaluar, ndërkaq rusët u tërhoqën në anën tjetër të lumit Dnjepër.

Në Bruksel, ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes së BE-së mblidhen më 20 mars për të diskutuar planet për t’i ofruar municion Ukrainës në vlerë prej 2 miliardë eurosh në bazë të planit që përfshin blerjen e përbashkët të municionit nga blloku evropian.

“Koha është e rëndësishme, ne duhet të dërgojmë më shumë municion artilerie dhe ne duhet ta bëjmë këtë me shpejtësi”, ka paralajmëruar shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, pritet t’i adresohet këtij takimi përmes video-lidhjes nga Kievi. Ai pritet t’i informojë homologët e tij evropianë lidhur me situatën aktuale në fushëbetejë.

Kievi ka thënë se i dihen 350.000 predha çdo muaj për t’i bërë ballë ofensivës së Rusisë në lindje dhe të jetë në gjendje që të kryejë një kundërofensivë gjatë pranverës.

Shtetet anëtare të BE-së, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, i kanë dhënë Kievit ndihmë ushtarake në vlerë prej 13 miliardë dollarësh.

Ministrat e Jashtëm të bllokut po ashtu pritet të flasin për përgjegjësinë e Moskës për dëbimin me forcë të fëmijëve ukrainas për në Rusi, por edhe për masat për të lehtësuar eksportet ukrainase.

Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë më 17 mars lëshoi urdhërrarestim për presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me rolin e tij në transferimin me forcë të fëmijëve ukrainas në Rusi.

Gjykata po ashtu lëshoi urdhërarrestim ndaj Maria Lvova-Belova, që është komisionare e Rusisë për të drejtat e fëmijëve./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!