Inva Mula: Nuk është e lehtë për djalin tim me gjyshër kolosa të artit dhe me prindër artistë

schedule13:50 - 9 Mars, 2023

schedule 13:50 - 9 Mars, 2023

Gjatë rrëfimit të saj në “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, zbuloi dhe një surprizë që është bashkëpunimi me të birin. Ajo tregoi se gjithçka është gati, por djali nuk është ende dakord për ta publikuar.

Inva theksoi se ai është jashtëzakonisht i talentuar, prandaj dhe e ka lënë të lirë dhe të paimponuar.

“Jo vetëm që e kam menduar, por unë tashmë e kam me djalin një bashkëpunim. Edhe kur të vij momenti se ai për momentin nuk do që t’ja nxjerri publikut, por është bashkëpunim shumë i bukur. Atëherë, do jetë një nga ato do thoja, dashuritë, emocionet, gjërat e rralla, që unë do të doja t’i paraqisja publikut. Është një gjë krejt ndryshe nga opera, shumë e veçantë. Mund ta bëj vetëm unë me djalin, për arsye se ai ka një muzikë tjetër dhe unë kam një muzikë tjetër, elektronike, lirike bashkë, por është shumë interesante. Kam krijuar shumë kërshëri te publiku se kam kohë që flas për këtë. Çdo gjë është gati, por djali im nuk do që ta nxjerr. Nuk ka asnjë arsye, ai thjesht kërkon një kohë, kohën e vetë dhe unë e respektoj. Në fillim, insistoja se është një gjë shumë e bukur dhe koha kalon, por si duket mënyra se si ai do që ta shpalosi veten është ndryshe. Shiko, duhet të mendojmë edhe një gjë, nuk është e lehtë për djalin tim me gjyshër kolosa të artit dhe me prindër artistë, nuk është e lehtë për të të imponohet tani dhe të dal. Ai ka nevojë për reflektimin e vetë dhe është një talent i jashtëzakonshëm, prandaj unë e respektoj atë dëshirën për të gjetur kohën e tij”, u shpreh ajo./abcnews.al