Shtatë persona, përfshirë civilë, u vranë sot nga sulmet me dronë në një fabrikë municionesh të kontrolluara nga grupet pro-iraniane në Sirinë lindore, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).
Observatori, i cili është me bazë në Britani, por ka një rrjet të gjerë burimesh në Siri, nuk ishte në gjendje të përcaktonte se kush ishte përgjegjës për sulmin. Kreu i saj, Rami Abdel Rahman, tha se shtatë persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën në sulmet që synonin fabrikën dhe një kamion plot me armë. Sipas këtij burimi, janë vrarë tre afganë, anëtarë të një organizate pro-iraniane, si dhe katër sirianë, tre prej të cilëve ishin civilë.
Media shtetërore siriane nuk përmendi një sulm me dron. Agjencia siriane e lajmeve Sana, megjithatë, raportoi se “tre civilë u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën” nga një shpërthim mine që ishte vendosur nga Shteti Islamik në kohën kur ishte nën kontrollin e tij të qytetit të Deir Ezzor. Gjithashtu publikoi foto të një ndërtese dhe një kamioni të dëmtuar.
Sipas OSDH, sulmi ndodhi në një sektor të qytetit, të kontrolluar nga qeveria siriane, ku ndodhen rezidencat e kreut lokal të Gardës Revolucionare, ushtrisë ideologjike të Iranit dhe anëtarëve të Hezbollahut libanez. Rajoni i Deir Ezzor është një pikë kryesore tranziti për luftëtarët, mallrat dhe armët që hyjnë në vend nga Iraku fqinj. Në janar, 11 persona u vranë në këtë zonë nga sulmet ajrore të njëpasnjëshme kundër organizatave pro-iraniane. Dy prej tyre kishin në shënjestër një autokolonë që mbante armë.
Në të kaluarën, si Izraeli ashtu edhe koalicioni ndërkombëtar kundër xhihadistëve kanë shënjestruar grupet paraushtarake pro-iraniane. Izraeli rrallëherë ka marrë përgjegjësinë për sulmet e tij në Siri, por thotë se dëshiron të parandalojë vendosjen e njësive ushtarake iraniane në kufirin e tij. /abcnews.al