Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se qeveria është ende në diskutime me ndërkombëtarët në lidhje me projektligjin për amnistinë fiskale.
Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj tha se projektligji është i vështirë dhe do dojë kohën e vet për t’u përfunduar.
Sipas ministres, aministia fiskale do të miratohet pasi të kenë përfunduar të gjitha aktet ligjore.
“Amnistia fiskale është një ligj i cili tashmë mund të them që është në një fazë të pjekur, pasi është konsultuar gjerësisht, si me grupet e interesit në vend, si me institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji, por edhe me të gjithë aktorët ndërkombëtarë. Proceset e konsultimit, kanë vijuar gjatë dhe diskutimet, si me BE-në, si me partnerët e tjerë ndëkombëtarë janë ende në proces. Ne e kemi theksuar shpeshherë, ë ky është një projektligj që është i rëndësishëm që të hartohet dhe të zbatohet ashtu siç duhet.
Është një projektligj i vështirë, do dojë kohën e tij për t’u përfunduar, do duan kohën e vet edhe aktet ligjore për t’u përfunduar. Vetëm kur ne të kemi të gjitha detajet e akteve dhe të ligjit, atëherë do ta kalojmë në Këshillin e Ministrave dhe të fillojmë me procesin e miratimit zyrtar të tij”, theksoi ajo.