Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk do të lejojë vakum qeverisës në Kosovë, dhe se do të vazhdojë të kryejë detyrat e tij qeverisëse.
Ai iu përgjigj kështu kritikave në rritje nga përfaqësuesit e opozitës, të cilët kanë thënë, se në momentin e dorëheqjes, ai nuk ka të drejtë më të marrë vendime.
Kritika ka pasur edhe për shkakun se sot (e premte) Haradinaj ka thirrur një mbledhje të qeverisë. Por, Haradinaj i ka ftuar të gjithë ata që kanë dyshime në ligjshmërinë e vendimeve të ardhshme të qeverisë, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, pas kthimit nga Haga në Kosovë.
Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryeministrit, të premten e kaluar, për shkak se është ftuar për tu intervistuar nga Gjykata speciale për krime të luftës në Kosovë, në cilësinë e të dyshuarit.
Pas intervistimit nga prokurorët në Hagë, Haradinaj ka thënë se nuk pret të ketë aktakuzë ndaj tij, dhe se është mbrojtur në heshtje./REL