Tifozët e Milanit sulmojnë portierin Donaruma

schedule15:19 - 14 Dhjetor, 2017

schedule 15:19 - 14 Dhjetor, 2017

Sërish polemika të mëdha për portierin e Milanit, Donaruma. Tifozët dolën kundër tij pas lajmeve se 18-vjeçari dëshiron të largohet nga klubi.

Nuk po jeton ditët më të lumtura në karrierë.

Portieri i Milanit, Xhixho Donaruma, pati një prag ndeshje të tmerrshme në Kupën e Italisë ndaj Veronës, dhe u desh që kapiteni Bonuçi ta mbështeste për të dalë në fushë.

Një pjesë e tifozëve kuqezinj e sulmuan me një parullë në “San Siro”, pas lajmeve se ai dëshiron të largohet nga klubi.

“Durimi ynë ka marrë fund, – shkruhej aty, – largohu nga Milani. Dhunë morale, 6 milionë euro në vit dhe kontratë për një vëlla parazit”!

Lajmet në media janë që agjenti I Donarumës, Mimo Raiola, ka ndërmend të rregullojë një transferim të 18-vjeçarit në një ekip tjetër, që mund të jetë Paris SG, Juventusi apo ndonjë tjetër.

Atmosfera e krijuar në “San Siro” nga protesta e tifozëve nuk u arrit të përmirësohej plotësisht as nga fitorja e thellë 3-0 që krijoi një derbi me Interin në çerekfinalet e Kupës.

Trajneri Xhenaro Gatuzo e ndjeu veten të detyruar të dilte në mbështetje të portierit të tij.

“Ai është vetëm 18 vjeç dhe padyshim është tronditur, – tha Gatuzo, – unë do të them vetëm fjalë falenderimi për Xhixhon për atë që po bën, ndërsa për moshën e tij, është portieri më I mirë në botë tani për tani. Ai nuk është I lumtur, por unë I them se do ta mbështes deri në fund. Klubi nuk dëshiron që ai të largohet, as Donaruma nuk dëshiron të largohet”.

Drejtuesi i Milanit, Mirabeli, tregoi sesi do të sillet Milani në këtë situatë dhe bëri një sulm ndaj agjentit të Donarumës, Mimo Raiola.

“Pozicioni ynë është i qartë, – u shpreh ai, – ne nuk duam të transferojmë asnjë lojtar. Nëse një lojtar dëshiron të largohet, ai duhet të na e thotë, dhe klubi që e kërkon duhet të plotësojë kërkesat tona. Nuk do të lejojmë askënd të na kapë për fyti. Xhixho është djalë I shkëlqyer dhe kurrë nuk ka dashur të largohet, por duket se është një zotëri që kërkon të krijojë kaos”.

Donaruma, padyshim një nga talentet më të mëdhenj të portës, ka shkëlqyer që në moshën 16-vjeçare, por verën e kaluar u krijuan polemika të mëdha për kontratën e tij të re.

Më në fund, napolitani 18-vjeçar rinovoi, por Milani deklaron se në kontratë nuk ka klauzolë transferimi, ndaj është në dorë të klubit të kërkojë shifrën që dëshiron për kartonin e tij./abcnews.al