Trajneri i Partizanit Franko Lerda beson tek kualifikimi ndaj Sherif Tiraspol në sfidën e vlefshme për Europa League. Në kampin e skuadrës moldave, tekniku Zekiç vlerëson Partizanin por nuk e llogarit kualifikimin në turin tjetër.
Partizani do të luajë të enjten në orën 17:30 ndeshjen e parë të raundit të dytë në Europa League përballë Sherif Tiraspol. Të kuqtë janë përgatitur maksimalisht për këtë duel ndërkohë që trajneri Franko Lerda nuk zbulon asnjë detaj rreth formacionit startues.
“Kemi përballë një kundërshtar që e vlerësojmë maksimalisht. Duke ditur ecurinë e tij gjatë viteve të fundit. Është një ekip që këtë sezon ka ndryshuar shumë lojtar. Kemi krijuar shumë raste për gol në dy ndeshjet e champions por nuk kemi arritur të realizojmë. Nuk është problem. E rëndësishme është të krijojmë raste. Jemi të detyruar të japimin maksimumin. Duhet të zhvillojmë me përpikmëri të gjitha ato që kemi zhvilluar në stërvitje. Parësore është të sulmojmë në grup dhe të mbrohemi si skuadër. Zhvilluam dy ndeshje të mira ndaj Karabag. Treguam që përtej lojtarëve cilësore, janë një grup me vlera. Shpresojmë tek kualifikimi. Në futboll mund të ndodhë gjithçka. Na duhet të përqendrohemi maksimalisht në fushë”, tha Lerda.
Mesfushori i Partizanit, Bruno Telushi beson se skuadra ka shanse reale për kualifikim.
Trajneri i Sherif Tiraspol, Zoran Zekiç ka theksuar se kualifikimi është detyrim për skuadrën e tij ndërkohë që vlerëson Partizanin.
“E kam ndjekur Partizanin në dy ndeshjet ndaj Karabag. Kanë ndryshuar stilin e lojës me trajnerin e ri. Janë të fortë në mbrojtje. Kanë në sulm një lojtar të fortë si Solomon. Mendoj se do të jetë e vështirë pasi jemi përfshirë nga ndryshime të shumta. Kualifikimi është detyrim për ne. Të dyja ndeshjet do të jenë shumë të rëndësishme”, tha Zekiç.
Partizani është skuadra e vetme që përfaqëson Shqipërinë në kupat e Europës./ABC News Albania 24/7