Victor Osimhen padyshim po kalon periudhën më të mirë të jetës së tij. Me 18 gola në 19 ndeshje të kampionatit dhe pas atij goli mbrëmjen e ndjeshme ndaj Eintracht Frankfurt, në një përballje e cila përfundoi me rezultatin 0 me 2 në favor të napoletanëve, duket se Osimhen do të shtojë të paktën 1 trofe në arkivën e tij këtë sezon.
Mirëpo, çështja kryesore nuk është kjo, por e ardhmja e nigerianit. Manchester United dhe Chelsea prej kohësh janë në ndjekje të tij, por 24-vjeçari ende nuk e ka “ndarë” mendjen se çfarë do të vendosë në merkaton e verës.
Në fjalën e tij për mediat, pas fitores ndaj Frankfurt, Osimhen u shpreh tepër i qartë ku tha se e gjithë vëmendja e tij është te Napoli dhe se për transferimin e tij do të vendosë klubi dhe jo vetë 24-vjeçari.
“Kur ia del kaq mirë, klubet më të mira në mbarë botën të shikojnë dhe të tërheqësh interesin e tyre, të motivon të punosh edhe më shumë. Por unë jam i fokusuar te Napoli tani dhe ata kanë fjalën e fundit. Unë thjesht dua të ndihmoj ekipin tim për të fituar ndeshjet dhe trofe. Në fund të sezonit do të shohim se çfarë do të ndodhë, por nuk varet nga unë. Është në dorën e klubit të vendosë”,- është shprehur me shumë modesti Osimhen. /i.m /abcnews.al