Cila është e ardhmja e Erdoganit pas tërmetit?

schedule10:04 - 20 Shkurt, 2023

schedule 10:04 - 20 Shkurt, 2023

Nga Nimo Omer, The Guardian

Kanë kaluar dy javë që nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 7.8 Rihter që goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriperëndimore.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar mbi 46,000, më shumë se 40,000 në Turqi. Disa qytete dhe qyteza janë shkatërruar dhe të paktën dy milionë njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre, duke bërë që qeveria të ndërtojë një rrjet të improvizuar tendash dhe shtëpish të përkohshme me kontejnerë.

Të shtunën, Turqia njoftoi se kishte përfunduar përpjekjet e shpëtimit në të gjitha, përveçse në dy nga provincat më të goditura, Antakya dhe Kahramanmaras.

Me kalimin e ditëve, tronditja rreth katastrofës u kthye në zemërim dhe zhgënjim, me qytetarët turq që akuzuan qeverinë për dështimin për të llogaritur standardet e dobëta të ndërtimit.

Përgjigja e vonuar dhe e çorganizuar e aparatit të emergjencës nuk e ndihmoi situatën, duke e vënë Presidentin Recep Tayyip Erdogan në një pozitë gjithnjë e më të pasigurt ndërsa vendi po shkon drejt zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, raporton abcnews.al.

The Guardian foli me Dr Karabekir Akoyunlu, një ekspert me bazë në Mbretërinë e Bashkuar për politikën turke dhe një pedagog në Universitetin SOAS të Londrës, për ndikimin që tërmeti ka pasur në shanset e Erdoganit për një mandat tjetër.

Pozicioni i Erdoganit para tërmetit

Për dy vitet e fundit, Erdogan ka pasu probleme në politikë. “Megjithëse ai ka kontrollin e gjyqësorit, medias dhe degës ekzekutive, opozita ka mundur të krijojë aleanca që funksionojnë mjaft efektivisht në momente kyçe që e kanë dëmtuar politikisht,” tha Akoyunlu.

“Për shembull, në zgjedhjet lokale të 2019-ës, ata arritën të ‘rrëmbenin’ nga duart e partisë në pushtet bashkitë e Stambollit dhe Ankarasë pas 24 vitesh, gjë që ishte një pengesë e madhe për AKP-në.

Rënia e popullaritetit të Erdoganit është kryesisht për shkak të dobësimit të ekonomisë së Turqisë: lira ka qenë në kolaps prej vitesh, duke arritur së fundmi në nivele rekord kundrejt dollarit.

Dhe ndërsa inflacioni është përmirësuar gjatë dy muajve të fundit, personi mesatar në Turqi nuk ka gjasa të ndiejë ndonjë lehtësim të menjëhershëm, pasi vendi ka pasur vazhdimisht një nga normat më të larta të inflacionit në Europë, duke arritur nivelin më të lartë të 24 viteve prej 85.5% në tetor.

Për të luftuar sondazhet ogurzi, Erdogan ka filluar të shpallë “masat e fundit populiste”, sipas Akoyunlu, të cilat ai mund të mos jetë në gjendje t’i kryejë, raporton abcnews.al.

Në tetor ai zbuloi atë që ai e quajti “projektin më të madh të strehimit social në historinë e republikës turke”, duke premtuar se do të ndërtojë 500,000 shtëpi të reja.

“Ai filloi të përdorë këto politika, edhe pse ato padyshim do të kenë një kosto të madhe për arkën tashmë të zbrazët të shtetit të Turqisë,” tha Akoyunlu.

Çfarë mendojnë qytetarët tani?

Ndërsa ndërtesat që duhet të kishin qenë në gjendje të përballonin tërmetin u shembën, qeveria u përball me kritika të rënda për mungesën e mbikëqyrjes së kompanive të ndërtimit që mund të shkelnin rregullat e sigurisë për hir të shpejtësisë dhe kostos, sipas The Guardian.

“Asnjë prej tyre nuk ishte i fshehur, ata u theksuan nga grupet e shoqërisë civile, aktivistët dhe koalicionet politike në të kaluarën, por ata shpesh u injoruan ose, në disa raste, u burgosën,” tha Akoyunlu. Tani, me një numër qytetesh turke të kthyera në gërmadha, vëmendja i është kthyer asaj që shumë e quajnë “korrupsion sistemik”.

Ndërsa opinioni publik do të ndryshojë ndërsa vendi fillon të rindërtohet, dhe Erdogan ka të ngjarë të marrë të gjitha meritat për përpjekjen për ta rikthyer Turqinë në këmbë, qeveria nuk do të jetë në gjendje ta harrojë këtë krizë, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën.

“Nga ky këndvështrim, më pak se dy javë pas katastrofës, mendoj se qeveria nuk do të dalë e padëmtuar për sa i përket opinionit publik. Besoj se kjo do të çojë në një humbje të madhe në mbështetjen e popullit,” tha Akoyunlu.

Zgjedhjet

Erdogan e ka bërë të qartë se ai nuk dëshiron të heqë dorë nga pushteti dhe do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të qëndruar në pushtet, dhe kjo mund të mos ndodhë gjithmonë brenda procesit demokratik.

Aktualisht, planet zyrtare janë që zgjedhjet të mbahen në maj ose qershor, dhe nëse kjo ndodh, perspektivat e Erdoganit nuk duken të mira. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai po promovon lëvizje antikushtetuese për shtyrjen e zgjedhjeve, duke thënë se Turqia nuk mund të mbajë zgjedhje në këto kushte, raporton abcnews.al.

“Ne kemi rreth katër muaj deri në qershor dhe zgjedhjet janë organizuar normalisht në këtë vend në rrethana shumë të pafavorshme, kështu që kjo është një përpjekje e qartë për të shmangur llogaridhënien,” tha Akoyunlu.

Me afrimin e 100-vjetorit të Republikës Turke, zgjedhjet e ardhshme janë një moment kritik për vendin.

“Këto zgjedhje do të përcaktojnë nëse ka një shans të fundit për të shpëtuar demokracinë turke.”

Akoyunlu vë në dukje gjithashtu se është e rëndësishme që T urqia të pozicionohet në sistemin ekonomik global.

“Shumë organizata ndërkombëtare kanë vlerësuar nxitjen e ekonomisë turke drejt rritjes dhe sektori i ndërtimit ka qenë në qendër të bumit ekonomik të Turqisë.”

Akoyunlu theksoi gjithashtu se “Turqia është një rast i veçantë i asaj që ndodh kur neoliberalizmi dhe erozioni i demokracisë bashkohen”. Opozita, një koalicion prej gjashtë partish ka betejën më të vështirë për pushtet dhe ende nuk e ka shpallur kandidatin e saj.

Akoyunlu tha për The Guardian, megjithatë, se kjo ka të bëjë më pak me “sa perfekte mund të jenë gjërat dhe më shumë për marrjen e një hapi për të penguar më të keqen”.

Qeveria e Erdoganit erdhi dy dekada më parë duke premtuar pastrimin e Turqisë, pas një sërë skandalesh korrupsioni, krizash financiare dhe një tërmeti shkatërrues, raporton abcnews.al.

“Mendoj se është një foto shumë tragjike”, shtoi Akoyunlu.

“Duket se Turqia në një farë mënyre, në aspektin e demokracisë, ka bërë hapa pas”.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!