Dy persona janë arrestuar në Gjirokastër dhe dy të tjerë po procedohen në gjendje të lirë, pasi i janë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kanabis dhe kokainë. Sakaq, në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe një armë e ftohtë, thikë.
Ndërkohë, policia po vijon hetimet për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
DVP Gjirokastër/Konstatohen dhe goditen 3 raste në fushën e narkotikëve, vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Gjirokastër, si rezultat i kontrolleve me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve:
-arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 34 vjeç, banues në Përmet, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që ky shtetas drejtonte, u gjet një sasi e vogël lëndë e dyshuar narkotike kokainë. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e 34-vjeçarit, u gjet 1 armë e ftohtë(thikë), që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku, me sasinë e lëndës narkotike.
-arrestuan në flagrancë shtetasin L. D., 34 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis.
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. N., 26 vjeç dhe F. D., 37 vjeç, të dy banues në Gjirokastër, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin këta shtetas udhëtonin, si dhe në banesën e 26-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan sasi të vogla lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme