Deklarata e fortë e ish futbollistit të kombëtares Rudi Vata se Skënderbeu është viktimë e sistemit që vetë e ndërtoi ka ardhur edhe reagimi nga klubi korçar. Zv presidenti i juglindorëve, Arlind Boshku vuri në dukje sukseset e Skënderbeut në Europë dhe mungesën e provave në hetimet për shit blerjen e ndeshjeve.
Dënimi i skuadrës së Skënderbeut me 10 vite jashtë europës dhe gjobës prej 1 mln euro është pasuar me deklarata të forta nga ish kapiteni i kombëtares shqiptare Rudi Vata. Ish futbollisti deklaroi për emisionin “Rubrika Sportive”:
“Futbolli në Shqipëri është i korruptuar në çdo qelizë. Skënderbeu është viktimë e sistemit që ndërtoi vetë. Ata që ndërtuan këtë klub e ndërtuan me qëllimin që janë të paprekshëm dhe të pakapshëm. Takaj foli si politikan për ti mbushur mendjen popullit”.
Deklaratë e cila u pasua me një reagim të fortë nga zv presidenti i Skënderbeut, Arlind Boshku.
Numri dy i klubit juglindor vuri në dukje suksesin e skuadrës së Skënderbeut në kupat e europës apo mungesën e provave në hetimet për shit blerjen e ndeshjeve.
Skënderbeu ishte një gjë shumë e madhe për këtë Shqipërinë tonë të vogël dhe të varfër, madje e parakohshme për këtë realitet.
“Në ndjekjen me korespondencë të aktualitetit shqiptar nuk deshe ta kuptojë Skënderbeun, as përpjekjet titanike të tij për të ndërtuar një model shprese, mundësie dhe suksesi! si është e mundur që një klub i vendit tim arrin të shkoj dy herë në fazën e grupeve të Europa League?! Si mundet të eleminojë ekipe radhazi në katër ture dhe përball çfarë kundërshtarësh?! Ty nuk të intereson që në tre vjet hetime dhe tre shkallë gjykimi nuk u gjet asnjë grimcë fajësie e Skënderbeut”.
Skënderbeu do të vazhdojë ta ndjekë çështjen në gjykatën federale në Zvicër si e vetmja mundësi e mbetur për të besuar tek drejtësia./ABC News Albania 24/7