Mbi 7000 herë në skenë, dhjetëra role, libra, filma dhe një mision të vetëm: t’i shërbejë kombit shqiptar. Kjo është historia e aktorit të njohur Xhevat Limani, artistit nga Struga që ndërtoi Teatrin Shqiptar në Nju Jork dhe u shndërrua në një nga zërat më të fuqishëm të kulturës shqiptare në diasporë.
Pas një karriere të gjatë në Teatrin Shqiptar në Shkup, Limani mori vendimin e vështirë për t’u shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithëse la pas kujtime, miq dhe një jetë të ndërtuar me shumë sakrifica, ai besoi se përpara e priste një mision i ri.
Në Nju Jork, ai gjeti jo vetëm një atdhe të dytë, por edhe mundësinë për të realizuar një ëndërr të madhe: themelimin e Teatrit Shqiptar në Amerikë. Përmes këtij institucioni, qindra shqiptarë të diasporës kanë ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre kombëtar.
I njohur si “artisti shëtitës” i gjuhës shqipe, Xhevat Limani ka udhëtuar në mbarë botën duke recituar për historinë shqiptare, figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe vlerat kombëtare.
Një nga projektet më të rëndësishme të jetës së tij mbetet filmi-epope “Ata nuk ishin vetëm”, për të cilin përshkoi 36 shtete amerikane, duke mbledhur dëshmi dhe dokumente mbi vuajtjet e shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
Përveç skenës, Limani ka lënë gjurmë edhe në letërsi me romanin “Artisti pa Atdhe”, një vepër që pasqyron dhimbjen, sakrificat dhe dashurinë e pakushtëzuar për trojet shqiptare.
Sot, pas dekadash në shërbim të artit dhe çështjes kombëtare, Xhevat Limani vazhdon të mbetet një simbol i përkushtimit ndaj shqiptarizmës, duke dëshmuar se distanca nuk e zbeh kurrë dashurinë për atdheun.



