Sekretari Amerikan i Shtetit Majk Pompeo u shpreh se themeluesi i Uikiliks Julian Asanzh do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo sepse sipas tij Asanzh me veprimet e tij ka vënë në rrezik ushtarët amerikanë dhe jo vetëm.
Mbretëria e bashkuar do të ekstradojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, themeluesin e Uikiliks, Julian Asanzh. Deklarata është bërë nga sekretari amerikan i shtetit Majk Pompeo, gjatë një interviste për mediat në Ekuador. Pompeo shtoi se nuk mund të bënte deklarata më të detajuara por qeveria amerikane mendon se është shumë e rëndësishme që Asanzh, i cili vuri në rrezik ushtarët amerikanë, të përballet me drejtësinë.
Sekretari Amerikan i Shtetit tha gjithashtu se Asanzh ka krijuar një situatë të rrezikshme për botën. Themeluesi i Uikiliks akuzohet për spiunazh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat prejkohësh kërkojnë ekstradimin e tij. Seanca për miratimin ose jo të kësaj kërkese do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar në shkurt të vitit të ardhshëm. Një javë më parë, ministri britanik për Europën dhe Amerikën, Alan Dunkan, gjatë një vizite në Ekuador premtoi se Asanzh nuk do të ekstradohet në një vend ku mund të rrezikojë dënimin me vdekje.
Drejtësia federale amerikane, autorizon dënimin me vdekje për krimin e spiunazhit. Ndaj Asanzh rëndojnë 18 akuza në total, duke bërë që ai të rrezikojë deri në 175 vjet burg. Pjesa më e madhe e akuzave janë për marrjen dhe shpërndarjen e informacioneve të klasifikuara nga ana e Uikiliks, që në vitin 2010 publikoi me qindra mijëra dokumente ushtarake dhe diplomatike.
I strehuar për shtatë vjet në ambasadën ekudoriane në Londër, ku fitoi dhe azilin politik, në 11 prill Asanzh u arrestua nga policia britanike. Ai u vendos në qeli dhe u dënua në 1 maj me 50 javë burg për shkelje të rregullores së lirisë me kusht. Qeveria e Ekuadorit u shpreh se në momentin që tërhoqi azilin politik për australianin, mori garanci të shkruar nga Londra, sipas të cilës Asanzh nuk do të ekstradohej në një vend ku mund të rrezikonte dënimin me vdekje. /ABC News Albania 24/7