Pavarësisht se ishte i mbyllur dhe me një liri të kufizuar, themeluesi i Uikiliks Xhulian Asanzh e kishte kthyer ambasadën ekuadoriane në një qendër operative, përmes të cilës shkëmbente të dhëna me agjentë rusë në dëm të politikës amerikane.
Themeluesi i Uikiliks, Xhulian Asanzh merrte rregullisht materiale të hakeruara mbi zgjedhjet amerikane të vitit 2016 gjatë kohës që qëndronte në ambjentet e ambasadës ekuadoriane në Londër, të cilat më pas i publikonte në portalin e tij. Lajmin e bën të ditur rrjeti informativ CNN, që citon dokumente të reja mbi aktivitetin e Asanzh në selinë diplomatike të vendit latin. Sipas dokumenteve, pavarësisht kufizimeve Asanzh e kishte kthyer hapësirën e tij në ambasadë në një qendër operative, përmes të cilës qarkullonte materiale të hakeruara. Sipas burimeve, këto të fundit vinin nga agjentë rusë dhe hakera të nivelit të lartë, me të cilët Asanzh takohej rregullisht për disa orë gjatë qëndrimit në ambasadë.
Dokumentet e cituara nga CNN vënë në dukje se themeluesi i Uikiliks ishte pajisur me kompjutera të sofistikuar dhe me një rrjet për transmetimin e të dhënave vetëm pak javë para se portali i tij të publikonte materiale që tronditën zgjedhjet amerikane të 3 viteve më parë. Detajet e reja ndodhen në raportet e agjencisë spanjolle të sigurisë që mbikëqyrte lëvizjet e Asanzh për llogari të autoriteteve ekuadoriane. Sipas CNN, materialet mund të shërbejnë si një dritare mbi jetën e themeluesit të Ukiliks brenda në ambasadë. Gjithashtu, ato ofrojnë një këndvështrim të ri në hetimin e Robert Myler, që në raportin e tij vinte në dukje se portali i kontestuar kishte ndihmuar Rusinë që të minonte zgjedhjet amerikane. /ABC News Albania 24/7