Nis puna për rikonstruksionin e shkollës “Jeronim De Rada”

schedule13:58 - 16 Korrik, 2019

schedule 13:58 - 16 Korrik, 2019

Shumë shpejt në Tiranë nxënësit nuk do të mësojnë me dy turne. Premtimi vjen nga kryebashkiaku Erion Veliaj pasi inspektoi punimet për rikonstruksionin e shkollës “Jeronim De Rada”.

Pas 54 vitesh shkolla nëntëvjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë. Bashkia ka nisur punën me mbështetjen financiare të Katarit.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që bashkë me mikun tim, ambasadorin e Katarit, jemi në fillimin e punimeve për shkollën “Jeronim De Rada”, një shkollë që do duket totalisht e re, jo vetëm sepse do të rikonstruktohet nga e para, por sepse do t’i shtohet një palestër, do t’i shtohen disa klasa për të shmangur përfundimisht mësimin me dy turne. Një bekim i madh, edhe një arritje e madhe për Njësinë 9, por sigurisht për zonën e rrugës “Fortuzi’”.

Paralelisht me rikonstruksionin e shkollave ekzistuese, Bashkia e Tiranës në disa prej njësive po vijon punën edhe me ndërtimin e shkollave të reja.

“Bashkia po bën edhe 17 shkolla të reja me forcat e saj, ndërkohë për shkollat ekzistuese kemi zgjedhur partneritete me miqtë e Shqipërisë, siç është Ambasada e Katarit, për t’u siguruar që edhe nevojat në shkollat ekzistuese të plotësohen. Kështu, do të kemi një komunitet që e shikon si shkollën si qendër komunitare, jo thjesht si një vend parkimi, 6 orë, për fëmijët. Kemi një plan zyrtar për t’i përfunduar punimet deri në shtatorin tjetër. Megjithatë, sot morëm një premtim që do të sforcohemi pak, ndoshta dhe me dy-tre turne, për t’u siguruar që ndoshta që në semestrin tjetër të kemi gati shkollën e re “Jeronim De Rada’”.

Në shkollën “Jeronim De Rada” në Tiranë mësojnë 1100 nxënës. Që nga ndërtimi në vitin 1965 në këtë shkollë asnjëherë nuk është ndërhyrë plotësisht./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!