Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha të hënën se vendi i tij do të ishte i gatshëm ta shqyrtonte kandidaturën e Finlandës për anëtarësim në NATO, veçmas asaj të Suedisë. Deri më tani, Turqia kishte kërcënuar se do të vendoste veton ndaj aplikimit për anëtarësim të të dyja vendeve, pas djegies së Kuranit në Stokholm që shkaktoi zemëratë në Ankara.
Ministri i jashtëm turk u tha gazetarëve në Ankara se Turqia është e gatshme të vlerësojë individualisht kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO.
Zoti Cavusoglu tha se Turqia mund t’i vlerësojë të ndara aplikimet e këtyre dy vendeve.
Ai shtoi se një përqasje e këtillë ka kuptim, duke qenë se aplikimi i njërit vend është më problematik se tjetri. Komentet e ministrit të jashtëm turk reflektojnë deklaratat që bëri Presidenti Recep Tayyip Erdogan të dielën, kur sugjeroi se Finlanda nuk do të haste në shumë vështirësi për t’u anëtarësuar.
Zoti Erdogan përsëriti gjithashtu kërkesën që Stokholmi të ekstradojë 120 persona që Turqia i konsideron terroristë.
Zoti Erdogan e akuzon qeverinë suedeze se lejon që ky vend të strehojë organizata terroriste që po luftojnë kundër Turqisë. Zyrtarët suedezë këmbëngulin se kërkesat për ekstradime janë çështje që u përkasin gjykatave.
Marrëdhëniet Turqi-Suedi u përkeqësuan më shumë në janar, pasi protestues të së djathtës së largët u lejuan të djegin Kuranin në Stokholm, duke shkaktuar zemëratë në Ankara. Por, marrëdhëniet Finlandë-Turqi u përmirësuan këtë muaj, kur Helsinki lejoi shitjen e materialeve të specializuara prej çeliku për industrinë e mbrojtjes së Turqisë, duke i dhënë fund kështu embargos ushtarake që Finlanda i pati vendosur Ankarasë për shkak të shqetësimeve për të drejtat e njeriut.
Ilhan Uzgel, një analist politik në faqen e lajmeve në internet Kisa Dalga, thotë se zoti Erdogan kërkon që të arrijë maksimumin e lëshimeve nga NATO për të lejuar zgjerimin e saj, duke qenë se pritet të ketë zgjedhje presidenciale në muajin maj.
“Nuk është më shumë një vendim strategjik, por është më tepër një lloj ndikimi që Erdoganit i duhet në politikën e brendshme. Por, kjo është e zgjidhshme. Nën presion, Erdogani bën lëshime, kjo është e sigurtë. Por, ai duhet të përfitojë diçka. Ai e ka mësuar gjatë viteve se çdo gjë mund të shndërrohet në kartë negocimi. Një çështje trans-nacionalizmi ku ai shkëlqen. Pra, ai di si të negociojë. Dua të them se e ka mësuar këtë gjatë 20 viteve (në pushtet)”, thotë zoti Uzgel.
Deri më tani, Finlanda dhe Suedia janë të angazhuara që të hyjnë në NATO së bashku. Por më herët këtë muaj, Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto tha se Helsinki mund ta rishqyrtojë qëndrimin, nëse Suedia bllokohej përgjithnjë nga hyrja në aleancën ushtarake.
Asli Aydintasbas, nga Instituti Brookings, thotë se roli i Uashingtonit mund të jetë jetik për tejkalimin e ngërçit.
“Shtetet e Bashkuara mbajnë karta të rëndësishme. Pikëpyetja është nëse disa prej objektivave të politikave të tyre mund të arrihen duke e mbajtur marrëdhënien të ngrirë deri kur të mbahen zgjedhjet në Turqi dhe pastaj të marrë në konsideratë një fillim të ri. Ajo çfarë po shohim është se Turqia është e irrituar, se ndjen që nuk merr vëmendje të mjaftueshme nga Uashingtoni”, thotë ajo.
Ankaraja ka kërkesa të shumta për Uashingtonin, si dhe disa mosmarrëveshje që ende vazhdojnë. Megjithatë, analistët sugjerojnë se me vetëm pak muaj deri në zgjedhje, për të cilat anketimet tregojnë se zoti Erdogan nuk është i garantuar se do t’i fitojë, Suedia dhe Finlanda, së bashku me NATO-n, duket se do t’i ndjekin me vëmendje zgjedhjet që po afrojnë./VOA