Ljuis Hamilton fiton Çmimin e Madh të Anglisë dhe shkëputet në krye të renditjes së Formula 1. Ky ishte suksesi i gjashtë i anglezit në pistën e Silverstounit.
Nuk u nis i pari, por kjo nuk i prishi asnjë punë. Ljuis Hamilton di sesi fitohet në Formula 1, dhe e shfrytëzoi gjithë përvojën si dhe klasin e tij, për të triumfuar në pistën e Silverstonit.
Kampioni i botës dhe kryesuesi i renditjes ia doli në garën e shtëpisë, në Çmimin e Madh të Anglisë, në një nga episodet më spektakolare të këtij sporti prej vitesh. Duelet ishin të fortë me shokun e tij të skuadrës, pilotin tjetër të Mercedesit, Valteri Botasin, që fitoi provat zyrtare një vit më parë.
Megjithë përpjekjet, anglezi 34-vjeçar nuk e parakaloi dot në fushë finlandezin, por kjo ndodhi vetëm pasi Botasi ndaloi për të ndërruar gomat. Duelet në pistë ishin disa, mes Leklerkut të Ferrarit e Verstapenit të Red Bullit, si dhe me Fetelit po të Ferrarit dhe Pjer Gaslisë së Red Bullit.
Çmimi i Madh mori një drejtim tjetër kur në fushë hyri makina e sigurisë, pas një incidenti në pistë. Kjo ndihmoi Hamiltonin që ndërroi gomat, kur makinat ishin duke ngadalësuar, dhe mbajti vendin e parë.
Pas një dhurate të tillë, anglezi nuk u pengua më për të shkuar drejt fitores, ndonëse në garë pati emocione të forta. Leklert, Gasli e Verstapen vazhduan konkurrimin mes tyre, ndërsa Sebastian Fetel, katër herë kampioni i botës, bëri një gabim të madh.
Ai goditi nga pas Verstapenin, duke përfunduar të dy jashtë piste, e duke u dënuar me 5 sekonda vonesë. Hamilton doli i pari, madje vendosi xhiron më të shpejtë në rrotullimin e fundit, duke thyer sërish rekordin e pistës. Botas e Leklerk ishin dy të tjerët në podium.
Kjo ishte fitorja e 6-të e Hamiltonit në Çmimin e Madh të Anglisë, duke qenë më i miri i të gjitha kohëve. Piloti i Mercedesit kryeson renditjen e Botërorit të Formula 1 me 223 pikë, me plot 39 pikë më shumë se Botasi, ndërsa ferraristët kanë mbetur pas. Mercedesi kryeson renditjen për skuadra me 407 pikë, ndërsa Ferrari ka 243./ABC News Albania 24/7