Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka lënë në fuqi vendimin e UEFA-s, për dënimin e Skënderbeut me 10 vite jashtë kupave të Europës dhe gjobë 1 mln euro. KAS bën të ditur se Skënderbeu është përgjegjës për manipulim ndeshjesh.
Skënderbeu merr një goditje të rëndë nga gjykata e arbitrazhit sportiv. KAS ka hedhur poshtë apelimin e klubit korçar duke lënë në fuqi dënimin e UEFA-s me 10 vite jashtë kupave të Europës dhe gjobën prej 1 mln euro. KAS ka publikuar vendimin e dhënë për skuadrën shqiptare që shpresonte minimalisht një reduktim të vendimit të UEFA-s.
Gjykata e arbitrazhit sportiv ka hedhur poshtë apelimin nga skuadra shqiptare e Skënderbeut kundër vendimit të dhënë nga Komisioni i Apelit të UEFA-s më 26 prill 2018 i cili konfirmoi vendimin e dhënë më 29 mars nga Komisioni i UEFA-s për etikën dhe disiplinën i cili e shpalli Skënderbeun përgjegjës për aktivitete të ndryshme; manipulim i ndeshjes dhe përjashtoi klubin nga kompeticionet e UEFA për 10 vite dhe gjobë prej 1 mln euro. KAS arriti në përfundimin se Skënderbeu ishte përgjegjës për aktivitetet: Manipulim ndeshjesh, dhe sanksionet disiplinore të dhëna nga komisioni disiplinor i UEFA-s ishin të justifikuara, është njoftimi i KAS.
Në kampin korçar besimi ishte i madh, por KAS ka shuar përfundimisht shpresat e klubit që ka dominuar futbollin shqiptar ndër vite dhe tifozët juglindorë. /ABC News Albania 24/7