EUROPOL ka hapur zyrën e tij në Tiranë, duke bërë që një oficer i lartë policor të punojë në një zyrë të posaçme në Policinë e Shtetit, për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh. Në ceremoninë e hapjes së zyrës së oficerit ndërlidhës të Europol, Ministri i Brendshëm tha se thellimi i integrimit dhe lëvizjes së lirë na vë edhe përpara sfidave për forcimin e sigurisë.
Shqipëria bëhet vendi i parë në Ballkan që EUROPOL ka hapur një zyrë të posaçme në Policinë e Shtetit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Në ceremoninë e përurimit të Zyrës së Oficerit Ndërlidhës të EUROPOL ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, pohoi se, Shqipëria është integruar “de facto” në BE ndërsa, “de juro” po ecën në rrugën e sigurt.
Sandër Lleshaj: “Përpjekja jonë për integrim në Bashkimin Europian po konkretizohet përditë e më shumë në element konkretë dhe praktikë. Fillimi i operacionit të FRONTEX në kufijtë e Shqipërisë, përbën një hap të rëndësishëm, i cili ndodh për herë të parë në një vend jashtë BE. Edhe hapja e Zyrës së EUROPOL në Tiranë, është e para në rajon dhe siç tha dhe Drejtorja Ekzekutive e dyta në botë pas Uashingtonit, gjë që na bën të ndihemi mirë. Në njëfarë mënyre, ne po realizojmë hapa që shënjojnë njëfarë integrimi “de facto”. Dhe kjo qasje, ky integrim de facto në BE, besoj që është rruga më e drejtë për të arritur dalëngadalë e të sigurt drejt integrimit de jure”.
Ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca theksoi se prania e Europol në Tiranë do të ndihmojë Shqipërinë për hapjen e negociatave me BE-në.
Luigi Soreca: “Numri i operacioneve dhe koordinimi i Shqipërisë me EUROPOLIN janë rritur. Ato kanë sjellë rezultate në rritjen e goditjes së grupeve kriminale. Policia e Shtetit shqiptar është e aftë për t’u angazhuar në shumë operacione policore me partnerët europian. Ky operacion ndihmon edhe në angazhimin e Shqipërisë në fushën e sigurisë por edhe në procesin e hapjes së negociatave me BE. Unë jam shumë krenar që po e shoh një gjë të tillë në Shqipëri dhe jam më shumë i bindur se puna e EUROPOL do jetë shumë e mirë në bashkëpunimin me policinë shqiptare. Ne do të ndihmojmë Shqipërinë për të pasur më shumë rezultat”.
Zyra e EUROPOL është krijuar në ambientet e drejtorisë së Policisë së Shtetit, ku titullari i institucionit Ardi Veliu, tha se, pa bashkëpunim nuk mund të ketë sukses në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Ardi Veliu: “Bashkëpunimi me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere për Policinë e Shtetit është një ndër tre prioritetet kryesore të punës së saj, pasi ne jemi të vetëdijshëm dhe të bindur se lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të ketë sukses sado e zhvilluar të jetë një organizatë policore në rast se nuk bashkëpunon me partnerët”.
Ky nuk është fundi por vetëm fillimi i një bashkëpunimi në fushën e sigurisë ishte mesazhi që përcolli drejtoreshës Ekzekutive e EUROPOL, Catherina De Bolle.
/ABC News Albania