Lu: Lini mosmarrëveshjet, bashkëpunoni për kryeprokurorin

schedule11:00 - 12 Dhjetor, 2017

schedule 11:00 - 12 Dhjetor, 2017

Ambasadori amerikan Donald Lu, i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës të bashkëpunojë për të gjetur Prokurorin e Përgjithëm të Përkohshëm. Kryediplomati tha se palët duhet t’i japin fund kohës kur kryeprokurori mbron politikanët e korruptuar.

“Të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur prokurori i përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar”. Kështu u shpreh ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, teksa ftoi mazhorancën dhe opozitën të bashkëpunojnë për të gjetur një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. Sipas ambasadorit, sistemi i vjetër i drejtësisë mbronte njerëzit me pushtet dhe pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik.

“Sistemi i ri nuk mund të ketë një prokuror të përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht. Ky vend nuk mund të hyjë në BE nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Europë. I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës që të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të prokurorit të përkohshëm të prokurorit të përgjithshëm të cilit i mbaroi mandati 5-vjeçar në 7 dhjetor. Të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur prokurori i përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar. Në emër të grave dhe të fëmijëve që vuajnë si pasojë e një sistemi të korruptuar shpresoj që politikanët t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe do të zbatojnë këtë reformë në drejtësi”.

Kryediplomati amerikan theksoi se reforma në Drejtësi është në një cast vendimtar dhe se së shpejti do të përfundojnë çështjet e para të vetingut.

“Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera në drejtësi, përfshi SPAK dhe BKH. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë se “reforma në drejtësi ka vdekur”. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e rëndësishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur”.

Deklartat e ambasadorit Lu u bënë gjatë fjalës së tij në raportin vjetor të Avokatit të Popullit./abcnews.al