Në zgjedhjet e parakohshme të së dielës në Greqi do të ketë dhe kandidatë shqiptarë për deputet. Duke marrë në konsideratë se 58 mijë votues janë emigrantë që kanë marrë nënshtetësinë greke vitet e fundit, ka shumë mundësi që në parlamentin e ri grek të ketë dhe një deputet shqiptar
Greqia voton të dielën në zgjedhjet parlamentare, të parat që kur vendi nisi të marrë pak frymë pas krizës gati dhjetëvjeçare. Kandidatët e 20 partive dhe koalicioneve që marrin pjesë në zgjedhjet e 7 korrikut, kërkojnë votën e një elektorati prej gati 10 milionë votuesish. Mes tyre janë edhe 58.000 votues të një kategorie të veçantë: janë emigrantë që morën nënshtetësinë greke këto vitet e fundit dhe shumica dërrmuese e tyre janë shqiptarë. Risia tjetër e këtyre zgjedhjeve është se ka shumë mundësi që në parlamentin e ri të ketë dhe një deputet shqiptar.
Fatos Malaj është njeri nga katër bashkatdhetarët kandidatë, që emigruan vite më parë në Greqi dhe u integruan totalisht, aq sa të kërkojnë dhe një vend në parlament.
Fatos Malaj, që kandidon në zonën e parë të Athinës me Lëvizjen për Ndryshim, foli për TV Klan.
Të gjitha sondazhet i japin një avantazh të konsiderueshëm partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, ndërkohë që kryeministri Tsipras insiston se partia e tij SYRIZA i ka shanset që të përmbysë humbjen e thellë në zgjedhjet europiane të 26 majit.
Në vendin e tretë, gjithmonë sipas sondazheve renditet Lëvizja për Ndryshim – versioni i transformuar i PASOK-ut dhe pastaj me radhë, partia komuniste dhe Agimi i Artë që duket se nuk josh më kaq shumë elektorat me diskursin e vet ekstremist të djathtë.
Në parlamentin e ardhshëm ka shumë gjasë të futen edhe dy forca të reja: Zgjidhja greke, një parti me orientim të djathtë dhe DIEM25 e ish ministrit të financave Janis Varoufakis.
Në rast se vërtetohen sondazhet, demokracia e re jo vetëm që do t’i fitojë zgjedhjet, por edhe do të sigurojë numrin e nevojshëm të ndenjësve që të qeverisë e vetme.
Kryetari i kësaj partie, Kyriakos Mitsotakis, në intervistën e tij më të fundit, të premten paradite, u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë masivisht dhe t’i japin një mandat të fuqishëm partisë së tij.
Ai theksoi se kërkon mandat të fuqishëm, me qëllim që të negociojë për të ardhmen e vendit me partnerët evropiane, me kushte të tjera./ABC News Albania 24/7

