Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është kërcënuar me jetën e tij dhe të familjes nga një person përmes rrjeteve sociale. Policia ka shtuar masat e sigurisë ndaj Klement Zgurit si dhe ka marrë në mbrotje familjen e tij.
Këta efektivë të gardës së republikës qëndrojnë brenda sallës së mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve….
Zyra e Kryetarit të KQZ-së, që prej datës 10 qershor ruhej nga një oficer garde, tashmë ka më shumë mbrojtje.
Burimet pranë KQZ-së dhe autoriteteve policore, i thanë ABC News, se ditën e djeshme, Klement Zguri ka marrë një mesazh në “Facebook”, nga një llogari me inicialet E. P., i cili i shkruan “Do të vras ty dhe familjen”.
Menjëherë Zguri ka njoftuar policinë, e cila ka nisur verifikimet mbi rrezikshmërinë e këtij personi dhe nuk ka dhënë ende një informacion zyrtar mbi ngjarjen.
Edhe pse ende nuk dihet nëse llogaria në “Facebook” i takon vërtetë personit E. Pjetrini, policia ka vlerësuar të shtojë masat e sigurisë ndaj Zgurit dhe familjes së tij.
Edhe 4 anëtarët e tjerë të KQZ-së janë nën mbrojtje nga Garda e Republikës që prej 10 Qershorit, kur u vendosën në qendër të sulmeve politike për shkak se injoruan dekretin presidencial për anulimin e 30 Qershorit./ABC News Albania 24/7