Skuadra e Partizanit po zhvillon një merkato intensive. Të kuqtë kanë njoftuar blerjet e reja, por edhe largimet nga skuadra.
Partizani mbylli një sezon fantastik duke u shpallur kampion, por drejtuesit e klubit kanë vendosur të bëjnë ndryshime të mëdha në organikë. Në prag të ndeshjes me Karabag në turin e parë të Champions League, në shtëpinë e të kuqve ka patur rinovime largime, por edhe afrime.
Të kuqtë kanë firmosur me ish-sulmuesin e Partizanit të Beogradit, Solomon. 23-vjeçari ka një eksperiencë të madhe me skuadra të ndryshme nga Ballkani dhe pritet me entuziazëm për aventurën me kampionët e Shqipërisë.
Kontrata e nënshkruar me të kuqtë është dyvjeçare. Përforcimi i radhës te Partizani është mesfushori nga Venezuela, Romero i cili ka një ngjashmëri me futbollistin e Barcelonës Arturo Vidal.
23-vjeçari është nën kontratë me skuadrën italiane të Crotone dhe është huazuar vetëm për një sezon të kryeqytetasit. Partizani ka menduar edhe për një portier.
Alban Hoxha është titullar i padiskutueshëm, por tek të kuqtë mendojnë edhe për të ardhmen. Klubi i Partizanit njofton arritjen e marrëveshjes me portierin Aldo Teqja, i cili ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me kampionët e Shqipërisë. 24-vjeçari është aktivizuar për tre sezone me skuadrën e Skënderbeut ku edicionin e kaluar ka luajtur edhe si titullar.
Një nga shtyllat kryesore të Partizanit të sezoneve të fundit, Labinot Ibrahimi ka rinovuar kontratën edhe për një tjetër seozn. Ibrahimi është pjesë e të kuqve që prej vitit 2013 dhe një nga futbollistet më të dashur për tifozët e kuq.
Sa i përket largimeve, Lum Rexhepi është futbollisti i radhës që përfundon karrierën tek të kuqtë. Skuadra kryeqytetase njofton se Rexhepi falenderon skuadrën dhe i uron suksese për sezonin e ri si dhe tifozët e mrekullueshëm të Partizanit. Rexhepi i shtohet largimeve si Atanda, Duka, Hila dhe Hebaj./ABC News Albania 24/7