Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, tha se nga pikëpamja ligjore nuk ka pengesë që data e zgjedhjeve të miratohet dhe të dekretohet përpara përfundimit të ndryshimeve territoriale.
Sipas Celibashit, partitë politike duhet të angazhohen për të adresuar në Kodin Zgjedhor problematikat që lidhen me ndarjen e re territoriale.
Gjatë konferencës për mediat, Celibashi theksoi se këto zgjedhje duhet të tregojnë një standart të ri, afektuar edhe me rrugëtimin e Shqipërisë dhe hapat e bërë drejt Unionit Europian.
“Nga pikëpamja ligjore, edhe në arsyetimin tim si jurist, nuk ka problem miratimi dhe dekretimi i datës së zgjedhjeve pas ndarjes territoriale. Ndryshimet duhet të kishin shkuar bashkë me hartën territoriale dhe, shpresoj që partitë politike të angazhohen për të adresuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor që kanë si shkak hartën e re territoriale.
Përgatitja e procesit zgjedhor është përgjegjësi e dorës së parë e KQZ-së, por qeveria ka një rol të dorës së parë. Roli i saj është i rëndësishëm në çështje të tilla. Thirrja ishte e qartë për qeverinë, që do të duhet të demonstrojë angazhimin e vet institucional për integritetin e këtij procesi.
Uroj që në këto zgjedhje të tejkalohet ngërçi për manipulimet, vjedhjet dhe standardin, sepse në kuadër të objektivave për t’u bashkuar me Europën, ne do të duhet ta kalojmë këtë provë me sukses.”


