GREQI – Dy shqiptarë janë vrarë në një atentat mafioz që ndodhi në një lokal në lagjen Nea Smyrni në Athinë. Viktimat janë Kreshnik Çerçizaj, 41 vjeç, që mori dy plumba në kokë dhe Armando Organja, 44 vjeç, i cili mori dy plumba, një në gjoks dhe një në bark. Klientët të cilët ndodheshin në tavolinat ngjitur vrapuan pas të shtënave.
41-vjeçari që u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në kafe-barin Pop Up në Nea Smyrni kishte një të shkuar kriminale për grabitje dhe raste droge. Ai ishte personi që vdiq në vend para se ambulanca të arrinte dhe ta çonte në spital. Sa i përket viktimës së dytë, ai ka marrë plumba nga afër në stomak dhe gjoks, si pasojë ka humbur shumë gjak dhe me gjithë përpjekjet e mjekëve nuk ia ka dalë dot të mbijetojë.
Oficerët e Policisë së Sigurimit nga vendi i ngjarjes kanë mbledhur shtatë gëzhoja 9 mm nga arma e vrasësit dhe tashmë janë dërguar në laboratorët e mjekësisë ligjore për t’u kqyrur. Që në mëngjes ata kanë “skanuar” zonën për të gjetur video të tjera të lëvizjeve të autorit i cili shfaqej plotësisht i qetë dhe sigurisht që synonte të vriste dhe të mos dërgonte mesazh paralajmërues.
Vajza 31-vjeçare e cila ndodhej në kafene dhe mbeti e plagosur, është shtruar në spital me një plagë në këmbën e majtë, pa u dukur për momentin të ketë probleme me shëndetin. Sipas dëshmive të para, vajza nuk kishte lidhje me dy viktimat dhe plumbin e kishin kapur pa qenë objektiv.
Oficerët e sigurisë e karakterizojnë ngjarjen, si rrezik të lartë duke pasur parasysh numrin e njerëzve në sheshin e frekuentuar, pasi ishte relativisht herët dhe kishte ende shumë njerëz që ecnin .
Autori nuk kishte frikë se mund të bllokohej pasi edhe nëse do të kishte bashkëpunëtor, rruga është larg vendit ku u nis për të hipur në një mjet arratisjeje.
/abcnews.al/