Barcelona ka arritur fitime të mëdha financiare nga transferimi i futbollistëve. Plot 14 lojtarë janë larguar, ndërsa janë marrë mbi 220 milionë euro.
Nëse Madridi është ende në përpjekje për ta bërë, katalanasit e kanë realizuar në pjesën më të madhe.
Që nga viti 2018 e deri tani, nga “Kamp Nou” janë larguar shumë futbollistë (plot 14), dhe në total është fituar një shifër e lartë financiare.
Gazeta “Marka” flet për 221 milionë euro, një shifër rekord.
Të fundit që ikën ishin portieri Cilesen, Denis Suarez, Andre Gomes dhe Mark Karmona, për 77.4 milionë euro.
Tashmë, Barça nuk mund të kritikohet se nuk është në gjendje të transferojë lojtarë, dhe shefat e rinj të departamentit, Oskar Grau e Pep Segura, duhet të marrin një “dekoratë”.
Paulinjo shkoi në Kinë për 50 milionë euro, portieri Cilesen u bashkua me Valencian për 35 milionë, Jerri Mina është lojtar I Evertonit në Angli, pasi për të u paguan 30.2 milionë euro, Andre Gomes shkoi po në Angli tek Evertoni, për 25 milionë, dhe po ashtu u larguan të tjerë si sulmuesi Pako Alkaser tek Dortmundi, Aleish Vidal me Seviljen, Marlon në Itali tek Sasuolo apo Kardona tek Osasuna.
Nuk mund të quhet meritë e madhe fitimi i 222 milionë eurove nga Nejmari, pasi e tillë ishte klauzola në kontratë, që u plotësua nga Paris SG.
Besohet se do të ketë edhe disa të tjerë të larguar, ndoshta Kutinjo e Dembele, për të krijuar fondet e duhura për lojtarë të shtrenjtë si Grizman e Nejmar, apo edhe ndonjë tjetër. /ABC News Albania 24/7