Polemika Guardiola-Murinjo pas fitores së sitit në derbin e Mançesterit

schedule13:42 - 11 Dhjetor, 2017

schedule 13:42 - 11 Dhjetor, 2017

Sherr dhe polemika pas derbit të Mançesterit në Premier Ligë. Trajnerët Guardiola dhe Murinjo shkëmbyen replika, por suksesi i Sitit ishte i merituar.

E gjithë bota tha se ishte e merituar.

Ky, konkluzioni për triumfin e madh të Mançester Sitit në derbin e qytetit në Premier Ligë në fushën e Mançester Junajtidit.

Kryesuesit e kampionatit anglez dominuan lojën dhe e fituan me shifrat 2-1 duke u shkëputur në largësi prej 11 pikësh ndaj rivalit kryesor për titull.

Fitoi filozofia e trajnerit Pep Guardiola, futbolli sulmues e kombinativ, që e vë theksin tek rreziku dhe estetika.

Humbi një trajner i madh si Zhoze Murinjo dhe një skuadër historike se Junajtid, por që luajti më dobët sesa kundërshtari.

Edhe pse i duhej me patjetër fitorja, edhe pse kishte gati 75 000 tifozë në mbështetje, Mançesteri i kuq më së shumti u mbrojt dhe sulmoi vetëm në fund, kur e kuptoi se po humbiste.

David Silva, lojtari më I mirë I ndeshjes, kaloi Sitin në epërsi, Rashford barazoi në pjesën e parë, por Otamendi vulosi fatin e sfidës.

Gjithsesi, nuk munguan polemikat, me akuzat e Murinjos për arbitrin dhe për kundërshtarin.

Pep Guardiola i hodhi poshtë këto interpretime.

“Ne jemi skuadër e ndershme, dhe lojtarët tanë nuk rrëzohen lehtë në fushë. Ky nuk është një argument që unë e besoj. Ne fituam sepse ishim më të mirë në çdo repart. Vitin e kaluar ishte e njëjta histori, ne fituam këtu dhe u ankuan për gjyqtarin. Sot, po ashtu. Edhe përpara ndeshjes Murinjo foli për gjyqtarin. Ne jemi skuadër e ndershme me e guximshme. Përderisa ne mbajmë topin në 65 për qind të kohës do të thotë se ne duam të luajmë futboll. Ne po luajmë hapur dhe në sulm. Njerëzit thoshin se ne nuk mund të luanim në Angli si tek Barcelona, por ja që është e mundur. Unë gjithnjë kam besuar se do t’ia dilja”.

Ja edhe fjalët e Murinjos.

“Reagimi im i parë është që më vjen keq për gjyqtarin Majkëll Oliver, sepse ai e drejtoi ndeshjen shumë mirë, por për fat të keq ai bëri një gabim të rëndësishëm. Ndodhi e njëjta gjë si sezonin e kaluar, pasi nuk u dha një penallti e pastër për ne. Mançester Siti është një skuadër shumë e mirë, por është e mbrojtur nga fati dhe nga Zotat e futbollit. Është e vërtetë që Siti pati më shumë zotërim topi, pati një ndeshje të mirë, por pritjet më të mëdha i bëri portieri i tyre. Për më tepër, ju prisni që Siti të shënojë gola të mëdhenj, jo gola të turpshëm. Gjithsesi, diferenca jonë në tabelë me kundërshtarin është e madhe dhe nuk di nëse mund ta fitojmë titullin apo jo”.

Ndeshja përfundoi për turp, të paktën sipas asaj që raportojnë mediat angleze.

Lojtarët e Sitit festuan me zhurmë të madhe në corridor, dhe Murinjo u hodhi vërejtje që të tregonin më shumë respekt.

Vijoi një debat dhe një përleshje, ku lojtari i Junajtidit, Lukaku, goditi me shishe dhe gjakosi Artetën e Sitit, ndërsa portieri i Sitit, Ederson, goditi me shishe qumështi Murinjon.

Pritet që Federata Angleze të marrë masa./abcnews.al