BE-ja do të përpiqet të krijojë një gjykatë, të mbështetur nga OKB-ja, për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë, sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Pushtimi i Rusisë në Ukrainë ka sjellë vdekje, shkatërrim dhe vuajtje të papërshkrueshme. Të gjithë i kujtojmë tmerret e Buças. Vlerësohet se deri më tani janë vrarë më shumë se 20,000 civilë dhe më shumë se 100,000 oficerë ushtarakë ukrainas. Rusia duhet të paguajë për krimet e saj të tmerrshme, duke përfshirë krimin e saj të agresionit kundër një shteti sovran. Kjo është arsyeja pse, ndërkohë që vazhdojmë të mbështesim gjykatën penale ndërkombëtare, ne po propozojmë ngritjen e një gjykate të specializuar të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e agresionit të Rusisë”, tha Von der Leyen.
“Ne jemi të gatshëm të fillojmë të punojmë me komunitetin ndërkombëtar për të marrë mbështetjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare për këtë gjykatë të specializuar. Rusia gjithashtu duhet të paguajë financiarisht për shkatërrimin që ka shkaktuar. Dëmi i pësuar nga Ukraina vlerësohet në 600 miliardë euro. Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë Ukrainën për dëmin e saj dhe për kostot për rindërtimin e vendit”, shtoi ajo.
Presidentja e KE propozoi që BE-ja mund të detyrojë Rusinë për të financuar rindërtimin.
“Krimet e tmerrshme të Rusisë nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, tha ajo.
Rusia ka mohuar të ketë shënjestruar civilët dhe thotë se nuk ka kryer krime lufte, pavarësisht dëshmive të një masakre në Bucha. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se më shumë se 400 krime lufte janë kryer në Kherson gjatë okupimit të qytetit. /abcnews.al