Rama në Kukës kërkon votën për Safet Gjicin

schedule22:27 - 25 Qershor, 2019

schedule 22:27 - 25 Qershor, 2019

Kryeministri Rama zhvilloi takimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në Kukës. Ai premtoi se me Safet Gjicin në krye të bashkisë do realizohen projekte madhore, aeroporti i Kukësit dhe përfundimi i Rrugës së Kombit.

Kryeministri Edi Rama mbërriti me helikopter në aeroportin e Kukësit ku e prisnin mbështetës socialistë për të prezantuar kandidatin për kryetar bashkie, Safet Gjicin. U premtoi kuksianëve se aeroporti do përfundojë shumë shpejt dhe çmimet e ofruara do jenë të ulëta.

“Ka këtu vajza dhe djem që kanë lindur me këtë premtim dhe janë bërë thuajse 30 vjet. Sot nuk është më një premtim, është një angazhim që po mbahet dhe shumë shpejt të gjithë ata që nga Kukësi janë larhuar në emigracion sidomos në Britaninë e Madhe do të kenë mundësi të vijnë dhe të kthehen këtu direkt nga Londra në këtë aeroport, i cili do të jetë një aeroport jo thjesht i Kukësit, por i gjithë zonës verilindore duke përfshirë edhe pjesën matanë kufirit. Tani Shqipëria ka nevojë për një aeroport çmimesh të ulëta. Ky do të jetë aeroporti i Kukësit”, tha ai.

Një tjetër premtim u bëri për përfundimin e Rrugës së Kombit.

“Njësoj janë sot si rrugët e lëna rrugëve. Ne Rrugën e Kombit do ta mbarojmë. Se çdo bëhet me rrugët e tyre me atë do të merren demokratët pas 30 Qershorit”, tha Rama.

Kryeministri përsëriti se në 30 Qershor, populli duhet t’i verë më në fund kufirin, kësaj politike që djeg mandatin që i ka dhënë populli.

“Këtu është çështja që populli duhet t’i vërë përfundimisht kufirin kësaj lloj politike që e bëri Shqipërinë copë. Kësaj lloj mënyre të ulët që ti i jep votën ai shkon në parlament dhe ai djeg mandatin që i ke dhënë ti, ti ia ke dhënë mandatin që ai të rrijë aty, të flasë për ty, jo të vijë në parlament me vezë. Nuk ia ke dhënë mandatin që ai të vijë të ngrejë një pulari që të gjuajë me vezë në parlament. Thotë po iki se do bëhem popull. Në fakt nuk bëhet popull por futen atje mes turmës dhe gjejnë më budallenjtë ose ata që janë më të sinqertë dhe i hedhin me kokë t’i bien murit të ligjit. Ata shkojnë nëpër burgje, këta shkojnë flejnë në shtëpi”, tha Rama.

Madje thotë se ai nuk ikën me protesta.

“Për të ik unë? Nuk iki unë. Se kur iki unë e vendosni ju që jeni këtu, e vendos shumica dhe e vendos edhe unë. Jo ata. Kurrë”!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!