Greqi, intelektualët apel liderit të opozitës

schedule16:00 - 23 Qershor, 2019

schedule 16:00 - 23 Qershor, 2019

Një grup intelektualësh grekë i kanë bërë thirrje liderit të opozitës Qirjakos Micotaqis të anulojë marrëveshjen e Prespës nëse zgjidhet kryeministër. Përmes një letre, ku argumentojnë se marrëveshja në fjalë dëmton Greqinë, intelektualët i kërkojnë kryetarit të Demokracisë së Re që ta shpallë vendimin e tij përpara zgjedhjeve të 7 Korrikut.

Dhjetëra personalitete greke kërkojnë nga lideri i opozitës Kyriakos Mitsotakis, që të anulojë marrëveshjen e Prespës në rast se do të jetë kryeministri i ardhshëm i Greqisë pas zgjedhjeve të 7 Korrikut. Letra e hapur kërkon që në rreshtat e parë që lideri i opozitës greke të bëhet, siç shkruajnë, “flamurtari i anulimit të kësaj marrëveshjeje të rëndë për Greqinë”.

Shumica e grekëve e perceptojnë Marrëveshjen e Prespës si një humbje kombëtare dhe katastrofë, nënvizohet në letrën e nënshkruar nga pedagogë, historianë, ushtarakë, juristë, diplomatë dhe biznesmenë, dhe që është nisur nga Selaniku. Ata i bëjnë thirrje zotit Mitsotakis që ta shpallë vendimin e tij për anulimin e marrëveshjes së Prespës, para zgjedhjeve të 7 Korrikut.

“Është e sigurt që populli grek do t’ju shpërblejë me votën e tij”, nënvizohet në këtë letër që u publikua pasditen e të shtunës në portalin e gazetës konservatore Kathimerini.

Sipas tyre, “marrëveshja shkel Kushtetutën e Greqisë, por edhe parime themelore të së drejtës ndërkombëtare”. Ende nuk ka ndonjë reagim nga ana e partisë më të madhe opozitare greke, Demokracia e re, kryetarit të së cilës i drejtohet letra e hapur. Demokracia e Re e ka kundërshtuar në mënyrë konstante marrëveshjen e Prespës.

“Mirëpo Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar vazhdimisht që përderisa marrëveshja është votuar nga parlamenti, një qeveri e drejtuar prej tij do të kujdeset që ajo të zbatohet në mënyrë sa më korrekte dhe germë për germë. Gjithsesi, publikimi i letrës së hapur është dhe një sfidë për liderin e opozitës, i cili deri tani duket se u ka rezistuar tundimeve populiste”./ABC News Albania 24/7