Basha: Qeveria po përpiqet të harrohet skandali i vjedhjes së votave 

schedule21:23 - 22 Qershor, 2019

schedule 21:23 - 22 Qershor, 2019

Lulzim Basha thotë se pas publikimit të audiopërgjimeve, që tregojnë sipas tij vjedhjen e votave nga qeveria, kjo e fundit po përpiqet të krijojë një situatë sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Kreu demokrat tha në një deklaratë për mediat nga selia blu se të gjithë ata që janë kapur ne krim ndaj zgjedhjeve duhet te dalin para drejtësisë.

“Prej disa ditësh në hapësirën publike shqiptare po zhvillohet një fushatë agresive nga Edi Rama dhe makineria e tij prej miliona eurosh e propagandës për të shpërqendruar opinionin publik dhe mbuluar krimet e rënda që kanë ndodhur në bashkëpunim mes qeverisë dhe Partisë Socialiste, dhe krimit të organizuar. Kjo propagandë është një kopje e parimeve dhe metodave të propagandës naziste për të justifikuar krimet shtetërore. Qëllimi i parë i propagandës është mohimi në mënyrë flagrante se në Dibër dhe në Durrës kanë ndodhur krime, duke e paraqitur marrëdhënien dhe bashkëpunimin krim-politik si marrëdhënie të pafajshme, pa qëllime kriminale.

Me një arrogancë dhe shpërfillje ekstreme ndaj zgjuarsisë së njerëzve, bisedat për koordinimin e vjedhjes të zgjedhjeve mes kokave politike të vendit me vrasës e trafikantë e të tjerë po shiten si biseda të pafajshme të politikanëve me votues apo të drejtuesve të qeverisë dhe vartësve të tyre. Një linjë tjetër e propagandës kriminale qeveritare dhe mercenarëve të tyre është relativizimi i krimeve që kanë ndodhur. Përmes pretendimit se vjedhja e zgjedhjeve nuk është gjë në lidhje me krimet e tjera të politikës. Si pjesë e kësaj strategjie sulmohet opozita, deri edhe me akuza të montuara politike, që qytetarët të mendojnë se janë të gjithë njësoj dhe marrëdhënia mes vrasësve dhe trafikantëve me qeveritarët nuk është ndonjë tmerr i madh. Qëllimi tjetër i propagandës me frymëzim gëbelsian të qeverisë është paraqitja e situatës si normale. Ka një përpjekje për ta trajtuar vjedhjen e zgjedhjeve si dicka të zakonshme, si diçka normale, me shpresë që do kalojë dhe do harrohet. Këto teza i përhapin vetë njerëzit e përfshirë në krim dhe të gjitha levat e tyre në media dhe në jetën publike”, tha Basha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!