“Alcatraz-i” i qenve në Pogradec ka qenë në fokus të emisionit “Piranjat” këtë javë.
Rastet e shumta të dhunës ndaj kafshëve shpesh kanë tronditur rrjetin dhe kanë sjellë reagime të ashpra nga aktivistët e deri në protesta dhe ajo që ndodh në Pogradec, nuk është asgjë më pak se e tmerrshme.
Jo pak bujë bëri videoja e shpërndarë disa kohë më parë në rrjetet sociale, ku qentë e rrugës, të cilët duhet të strehohen në një qendër nga Bashkia, dhunoheshin, keqtrajtoheshin e madje edhe vriteshin.
Faiku, një ish-punonjës i qendrës, u largua sapo mori vesh masakrën që ndodhte aty. Pas skandalit, Bashkia e Pogradecit e zhvendosi qendrën në një zonë pranë lumit të Tranit, dhe kujdesin për qentë ia besoi një njeriu që ka çdo gjë veç jo dashuri për kafshët. Që në takimin e parë me qentë, personi në fjalë tregoi se do e bënte mirë “punën” për të cilën ishte ngarkuar.
Pas kësaj, qentë u riktheyn në qendrën e vjetër dhe nga ajo që “Piranjat” panë aty, situata nuk dukej më e mirë. Qentë mbahen të lidhur, të uritur e duke u përpjekur të largohen nga aty.
Një qytetarë tregon se roja i vendosur nga bashkia, ka raste që as nuk shkon fare në qendër.
Brenda qendrës realiteti është i trishtë. Qenë të lidhur e të uritur që luftojnë për mbijetesë. Ushqimi dhe mjetet mungojnë, por jo mjetet për t’i mbajtur në kontroll qentë: lopata, zinxhir e sëpata.
Inspektorët e bashkisë nga ana tjetër, duket se nuk kanë dëgjuar kurrë për këtë problem, madje sipas tyre, qentë ushqehen dy herë në ditë. Vëzhgimi i “Piranjave” tregoi të kundërtën. /abcnews.al