“Marrëveshja PD-PL, historike,” Nazarko: Po aq historike sa martesa e Selmanit me të njëjtën grua

schedule21:48 - 28 Tetor, 2022

schedule 21:48 - 28 Tetor, 2022

Sali Berisha dhe Ilir Meta hodhën dje pas një histori të gjatë akuzash dhe përplasjesh mes tyre për të lidhur një marrëveshje të re për zgjedhjet vendore.

I ftuar në “Log.” me Endri Xhafon, deputeti demokrat Dashnor Sula, i cili i përket atij që është cilësuar si “grupimi i Alibeajt”, ndërsa komentonte marrëveshjen tha se ai vlerëson çdo lloj bashkëpunimi brenda forcave opozitare.

Megjithatë, kritika e Sulës në këtë rast ishte që PD, “që është lokomotiva e opozitës” duhet të mendojë edhe për elektoratin gri edhe për ata që ai i cilësoi si socialistë të ndershëm. Nuk duhet parë vetëm me optimizmin, me fjalët: do fitojmë, do t’i mundim. Veç militantëve është edhe fasha gri dhe socialistët e ndershëm.

“Ne Peqin ka Berisha militantë. Unë do dëshiroja që veç këtij momenti, ky tension që është lart duhet të zbresë poshtë. Të ç’tensionohet situata. Në Peqin janë ata burra e qytetarë që do të bëjnë qeverisjen vendore. E rëndësishme të mos e ngremë në nivelin e një politike të madhe sesa një politikë të parlamentëve vendorë,” tha Sula.

Nga ana tjetër diplomati Agim Nesho, i cili është aktualisht zëvendëskryetar i Partisë së Lirisë e ka cilësuar marrëveshjen si historike.

Sipas tij, marrëveshja në fjalë është përtej interesave elektoralë.

“Ka një karakter të rëndësishëm. Është një marrëveshje jashtë interesave elektroale. Fitorja nënkupton ndryshimin e rendit dhe demokracisë që ka shkarë në Shqipëri.”

Kurse, për analistin Mentor Nazarko, marrëveshja mes Ilir Metës dhe Sali Berishës, “është aq historike saç mund të jetë martesa e Selmanit me të njëjtën grua.”

Nazarko kujtoi se Meta e Berisha janë “martuar politikisht” edhe herë të tjera, ndërsa solli po ashtu në vëmendje se ish-kryeministri nuk është hera e parë që bashkëpunon me ata që ka etiketuar me akuza nga më të rënda të karakterit penale.

Kujtojmë se në marrëveshje përcaktohet se PD dhe Partia Lirisë dalin me kandidatë të përbashkët, emrat e të cilëve do të jenë produkt i procesit të primareve, teksa në ato bashki ku kandidatët e opozitës do të jenë fitues, këshillat bashkiakë me marrëveshje do të drejtohen nga Partia e Lirisë. /abcnews.al/