Arrestohet personi i 7 për grabitjen e 6 milion eurove në Aeroportin e Rinasit më 9 Prill 2019. Hasan Kançi, punonjës i Aeroportit “ Nënë Tereza” dyshohet si bashkëpunëtor në grabitje pasi burimet nga organi i akuzës konfirmojnë se 48 – vjeçari merrej me ngarkimin e valixheve në avion dhe dyshohet se ka qenë ai që u ka dhënë informacion bandës së grabitjes.
Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë e shtetit kanë vënë në pranga personin e 7 të dyshuar si i përfshirë në super-grabitjen e Aeroportit të Rinasit më 9 prill 2019. Ai është 48-vjeçari Hasan Kançi, punonjës i Aeroportit “ Nënë Tereza” që dyshohet si bashkëpunëtor në vjedhjen e 6 milionë eurove. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se Kançi merrej me ngarkimin e valixheve në avion dhe dyshohet se ka qenë ai që u ka dhënë informacion bandës së grabitjes. Po ashtu i njëjti burim theksoi se të përfshirë në super-grabitje dyshohet tw jenw edhe persona të tjerë që punonin në Aeroport.
Sipas informacionit të policisë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme vlerë monetare në valutë dhe lekë. 48 – vjeçari akuzohet për “Vjedhje me armë kryer nëbashkëpunim” “Grupi i strukturuar kriminal” “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta”, “Mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake”, “Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë. Gjykata për Krime të Rënda ka rrëzuar të premten kërkesën e 5 të arrestuarve më herët për grabitjen e 9 prillit në Rinas për t’u përballur me bashkëpunëtorin e drejtësisë Alkond Bengasi.
Të dyshuarit i kishin kërkuar Gjykatës që të mos merret si provë dëshmia e dhëna nga Bengasi. Deklarimet e Alkon Bengasit organi i akuzës i ka pasur kartën më të fortë për të zbardhur ngjarjen, ku u grabitën 6 milion euro. Ndërkohë vijojnë hetimet për të gjetur paratë e grabitura, pasi deri tani prokuroria nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tyre. Të arrestuar janë Renaldo Sula, Sajmir Çela, Alkond Bengasi, Oltion Veseli, Elton Pikli dhe Ragip Hajdini.
Ndërsa në kërkim zyrtarisht për grabitjen janë dy vëllezërit Eldi dhe Klement Çala si edhe Talo Çela. Pas grabitjes në Rinas u vra ne shkëmbim zjarri me policinë Admir Murataj, që dyshohet se ka qenë truri i super-grabitjes ne Aeroport. Grupi hetimor vazhdon të kërkojë informacion nga autoritetet e Kosovës për një tjetër të dyshuar i cili njihet si “Tani”. Ndërkohë, për 6 të arrestuarit dhe të kërkuarin Klement Çala, organi i akuzës ka nisur dhe hetim pasuror./ABC News Albania 24/7

