Karta e studentit, Veliaj: Janë pajisur mbi 10 mijë studentë

schedule15:00 - 12 Qershor, 2019

schedule 15:00 - 12 Qershor, 2019

Në Universitetin Politeknik në Tiranë ka një bum aplikimesh për t’u pajisur me kartë studenti. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ndoqën nga afër procesin.

Më shumë se 10 mijë studentë në Tiranë sipas kryebashkiakut Veliaj janë pajisur me kartën e studentit. Rreth 2 mijë prej tyre studiojnë në Universitetin Politeknik. Këtu kryetari i bashkisë Erion Veliaj dhe ministrja Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndoqën procesin.

 “E kemi kaluar shifrën 10 mijë në të gjithë studentët e Tiranës, pra kemi nisur goxha mbarë. Shpresoj që deri në fund të qershorit, por edhe në korrik, kur vazhdon periudha e sezonit, do të kemi mundësi të bëjmë shpërndarjen e të gjitha kartave. Momentalisht kemi rreth 50-60 produkte ose ulje për shërbime publike të bashkisë, të Ministrisë së Kulturës, të enteve të tjera, kryesisht me fokus shërbimet publike për studentët, e thuajse po aq nga kompani private: kryesisht kancelari, dyqane veshjesh, supermarkete, restorante, dhe shërbime të tjera elektronike, që u vijnë në ndihmë studentëve”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se do te ndihmoje ne shtimin e sherbimeve qe karta e studentit ofron me çmim te reduktuar .

“Përmes Ministrisë ne mund ta ndihmojmë këtë proces me subjekte që janë të lidhura me ne, për t’i lehtësuar dhe për të shtuar listën e subjekteve të cilat ofrojnë shërbim për kartën”.

Shpërndarja e kartave të studentëve do të vijojë deri në mbyllje të vitit akademik. /ABC News Albania 24/7