Greva e pedagogëve, aktivisti Xhemollari: Shpenzimet për roje dhe mobilje, më të larta se pagat

schedule14:34 - 6 Tetor, 2022

schedule 14:34 - 6 Tetor, 2022

Protesta e pedagogëve për rritjen e pagave pritet të përshkallëzohet në ditët në vazhdim, e sidomos me datë 17 tetor ku është parashikuar dhe nisja e vitit të ri akademik dhe pedagogët kanë paralajmëruar për bojkot të auditoreve.

Në listën e tyre me 9 kërkesa, pedagogët kanë kërkuar rritje të pagave të paktën me 30% këtë vit dhe 20% vitin tjetër, ndërkohë që kryeminstri Rama ka parashikuar një rritje prej 7 përqind në mbledhjen e fundit të qeverisë. Por kjo rritje duke iu referuar dhe studimeve të kryera nga Qëndresa Qytetare është e pajustifikuar duke pasur parasysh mënyrën sesi menaxhohen dhe shpenzohen paratë e universiteteve.

I ftuar në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, aktivisti i organizatës Qëndresa Qytetare Rigels Xhemollari u shpreh që rritja e pagës së pedagogëve mund të bëhet vetëm nga kryeministri, ndërkohë që ‘universiteti i ka të llogaritura paratë, nëse ia rrit 8 për qind, duhet të rrisë tarifat e studentëve’.

Sipas tij deri në këto momente studentët kanë qenë indiferentë, por ndërkohë që qiratë në Tiranë janë rritur, dhe familjeve tani iu kushton rreth 400 euro për të mbajtur një student në Tiranë. Në Tiranë i duhet 10.3 paga mesatare për të mbajtur një student, ndërkohë që në Evropë një familje për të mbajtur një student i duhet 2 paga, sepse pjesën e tjetër e ofron shteti duke përfshirë dhe transportin dhe strehimin.

Për aktivistin Rigels Xhemollari ‘studentët deri tani kanë qenë indiferentë gjatë kësaj proteste, unë besoj se studentët janë të zhytur në problemet e tyre dhe nuk arrijnë ta kuptojnë, nuk duhet të bëjnë gabimin e pedagogëve në vitin 2018 të cilët nuk i mbështetën protestat e studentëve’.

Ndërkohë për sa i përket autonomisë së universiteteve, aktivisti Xhemollari u shpreh që ‘kryeministri iu drejtua universiteteve sikur ato të ishin biznese, nuk është një biznes privat, nëse universitetet dështojnë apo falimentojnë, po përgjegjës është kryeministri që nuk arriti të arsimojë studentët e tij’.

Për Xhemollarin ‘universitet nuk duhen parë si biznes, dhe në fakt ato nuk janë autonome, qeverisen nga borde administrimi, me 7 anëtare dhe 4 emërohen nga Ministria e Arsimit, përveç atij të Tiranës, sepse gjeneron më shumë të ardhura se universitetet e tjera për shkak të numrit të studentëve’.

Sipas aktivistit Xhemollari ‘prej 5 vitesh monitorojmë se çfarë ndodh me paratë e universiteteve, dhe pedagogët më tepër ruhen në universitete sesa paguhen’. Sipas tij, nëse i referohemi Universitetit të Tiranës, gjatë pandemisë, për rojet është paguar 550 mijë euro kontrata. 6 universitete publike në një vit 1.8 milion euro për roje dhe 700 mijë për kërkimin shkencor dhe për studime,’’ tha Xhemollari. /abcnews.al/