Mungesa e Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndikim në situatën e krijuar pas dekretit të presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. Edhe në rast se ajo do të ishte funksionale, nuk do të kishte kompetencë për ta shqyrtuar dekretin e kreut të shtetit.
Kjo për faktin, se vetë kjo Gjykatë, në një rast të ngjashëm, atë të vendimit të presidentit Bujar Nishani për shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 nga 18 qershori në 25 qershor, pas një ankimimi të bërë nga partia “Forca Rinia”, ka vendosur që kompetencën për ta shqyrtuar çështjen e ka gjykata Administrative.
“Në rastin konkret, Kolegji konstaton se akti ndaj të cilit është ushtruar ankim, dekreti i Presidentit të Republikës, i cili është një akt administrativ individual, pasi ka për objekt vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për këtë arsye, Kolegji çmon se ky akt nuk hyn në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative dhe për këtë arsye, kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet kësaj Gjykate me objektin sipas kërkesës”.
Edhe për rastet e pretendimeve se dekreti i presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve mund të bjerë ndesh me Kodin Zgjedhor, gjykata thotë çështja shqyrtohet në gjykatën administrative ose në Kolegjin Zgjedhor.
“Përputhja apo jo e dekretit të Presidentit të Republikës me dispozitat e Kodit Zgjedhor nuk është në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative apo, sipas rastit, të Kolegjit Zgjedhor dhe si e tillë nuk mund të shqyrtohet nga kjo Gjykatë”.
Me argumentet e mësipërm, Gjykata Kushtetuese vendosi që të mos e marrë në shqyrtim kërkesën për pezullimin e dekretit të presidentit për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, duke i dhënë përgjigje shteruese çështjes se kush janë institucionet gjyqësore që duhet të japin përgjigje për këto raste./ABC News Albania 24/7