Agjencia ruse e sigurisë FSB tha të hënën se kishte arrestuar një konsull japonez për spiunazh të dyshuar dhe e urdhëroi atë të largohej nga vendi.
Konsulli, Motoki Tatsunori, u lirua pas disa orësh ndalim. Zëdhënësi i lartë i qeverisë japoneze Hirokazu Matsuno tha se “atij i ishin lidhur sytë dhe ishte mbajtur e trajtuar në një mënyrë të frikshme që ishte një shkelje e qartë e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”.
Tokio ka paraqitur një “protestë të fortë” për ndalimin dhe ka sinjalizuar se mund të hakmerret, tha Matsuno në një konferencë për media të martën, shkruan The Guardian.
FSB tha se konsulli u shpall persona non grata pasi u kap “në flagrancë” duke marrë informacione sekrete mbi efektet e sanksioneve perëndimore në situatën ekonomike në lindjen e largët të Rusisë. Ai tha se informacioni i klasifikuar, i cili gjithashtu kishte të bënte me bashkëpunimin e Rusisë me një vend të paidentifikuar të Azisë-Paqësorit, ishte marrë në këmbim të një shpërblimi monetar. Japonia ka thënë se ai nuk po merrte pjesë në asnjë aktivitet të paligjshëm dhe do të largohet nga vendi deri të mërkurën. /abcnews.al