Holanda dhe Anglia do të luajnë sonte gjysmëfinalen e dytë të Ligës së Kombeve, me nisje në orën 20:45. Dy skuadrat pretendojnë suksesin, por anglezët pritet të kenë më shumë mungesa.
Detyrat me klubet përfunduan, por pushimet duhet të presin. Luhet gjysmëfinalja e Ligës së Kombeve dhe futbollistët e përzgjedhur të Anglisë e të Holandës, u paraqitën në bazat e tyre të grumbullimit, pak ditë më parë.
Nëse tek anglezët u takuan kundërshtarët e Liverpool-it e Tottenham-it, tek Holanda u pritën me brohoritje dy kampionët e rinj të Europës, Virgil Van Dijk dhe Georgino Wijnaldum. Tashmë, dy skuadrat janë në Portugali, ku do të luajnë gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, në orën 20:45 në stadiumin e Gimareshit.
A mund të ketë favoritë kjo përballje?
Vështirë të thuhet, ndërsa të dyja skuadrat janë në formë të mirë. Holanda shkaktoi të papritur në Ligën e Kombeve duke dalë e para në një grup të jashtëzakonshëm, bashkë me Francën dhe Gjermaninë.
Pavarësisht humbjes së fundit me gjermanët, në eleminatoret e Europianit, të mbiquajtur “tulipanët” janë tepër të fortë, me lojtarë të tillë si Van Dijk, De Ligt, Van De Beck apo De Jong.
“Ne jemi kthyer, – u shpreh trajneri Ronald Kuman, – vitet e krizës kanë kaluar dhe ne kemi sot lojtarë të shkëlqyer. Gjithsesi, dueli me Anglinë do të jetë I vështirë, pasi kundërshtari është I fortë, me potencial të madh. Mendoj se Anglia është pretendent i madh për Euro 2020-ën. Ne synojmë të fitojmë Ligën e Kombeve, por kjo nuk mund të krahasohet me Europianin apo Botërorin”.
Po Anglia, si duket në prag të sfidës?
Kapiteni Harry Kane ndoshta mund të mos luajë, po ashtu mund të jenë në stol edhe shumica e lojtarëve që ishin në finalen e Championsit.
Flitet për emra të njohur si Henderson, Dele Ali, Tripier apo Alexandre Arnold.
Gjithsesi, besimi është i madh se mund t’i dilet edhe me mungesa, ndonëse trajneri Gareth Southgate, vlerëson rivalin.
“Holanda ka ecur shumë përpara që nga ndeshja që luajtën ndaj nesh, – tha Southgate, – të dyja skuadrat kanë mjaft ngjashmëri, pasi kanë lojtarë të rinj dhe shumë të talentuar. Gjithnjë e kam admiruar Holandën e Gulitit, Van Bastenit e Rajkardit. Ne, gjithashtu, duam të krijojmë një skuadër spektakolare që të kënaqë tifozët, por po ashtu ne duam që të fitojmë”.
Tek Anglia pati një kaos lidhur me kapitenin për këtë ndeshje, pasi u publikua një deklaratë, sipas së cilës shiritin do ta mbante Rahim Sterling, dhe jo Kane apo Henderson.
Southgate nuk deshi ta komentonte këtë çështje, ashtu siç nuk dha asnjë informacion për lojtarët që do të hedhë në fushë si titullarë. Gjithçka duket gati dhe mirë për duelin e madh, por lajmet negative nuk munguan. Tre tifozë anglezë u ndaluan nga policia portugeze, që ndërhyri pasi plasën konflikte mes 20 000 tifozëve që kishin udhëtuar në Gimaresh për ndeshjen./ABC News Albania 24/7