Toronto fitoi ndeshjen e tretë finale në basketbollin amerikan, madje në fushën e Golden Stejtit. Kampionët vuajtën mungesën e dy prej yjeve të tyre kryesorë.
Justifikimet nuk vlejnë, por mungesa kaq të rëndësishme padyshim që ndikuan.
Toronto arriti një fitore të madhe në fushën e Golden Stejtit, duke kaluar në avantazh 2-1 në finalet e play off-it të NBA-së.
Suksesi ishte bindës, me shifrat 123-109, dhe me kanadezët që kurrë nuk patën më pak se 7 pikë epërsi. Gjithsesi, pati dy arsye tepër të mëdha që kampionët e NBA-së nuk patën shpresë këtë herë.
Kevin Durant vazhdoi të mungonte, dhe ai është lojtari më i mirë i dy finaleve të fundit të NBA-së. Jashtë edhe kapiteni Klej Tompson, që bashkë me Stef Kërrin formojnë dyshen e madhe në mungesë të Durantit.
Kjo e la Kërrin me detyrën thuajse të pamundur që ta fitonte ndeshjen i vetëm. Numri 30 realizoi rekordin e tij për play off-in, plot 47 pikë, duke kapur edhe 8 topa në tabela, e duke shërbyer 7 pasime për kosh, plus dy vjedhje topi.
As kjo nuk mjaftoi, dhe as loja shumë e mirë e Drejmond Grinit, me 17 pikë e 7 topa në tabela, dhe ajo e Andre Iguodalës.
Toronto, ashtu siç pritej, u udhëhoq nga basketbollisti i saj më i mirë, Koui Leonard që shënoi 30 pikë, por që nuk ishte vetëm.
Të pesë lojtarët e formacionit realizuan shumë pikë, Louri 23, Grin 18, Siakam po 18 dhe Mark Gasol 17.
Ndeshja e katër luhet sërish në fushën e Golden Stejtit, mëngjesin e 8 qershorit, dhe Toronto ka shansin e madh që të fitojë sërish, nëse nuk kthehet të paktën njëri nga kampionët, Tompson ose Durant.