Zoran Zaev: Nëse nuk caktohen negociatat, vendi shkon në zgjedhje

schedule13:05 - 6 Qershor, 2019

schedule 13:05 - 6 Qershor, 2019

Nëse nuk do të ketë një datë të caktuar për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin evropian, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Është kjo deklarata më e fundit e kryeministrit Zoran Zaev nga Brukseli

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, deklaroi nga Brukseli se anulimi i mundshëm i vendimit për një datë të caktuar, për hapjen e negociatave nga ana e Bashkimit Evropian, do të rrezikonte qeverinë. Sipas raportimeve të mediave në Maqedoninë e Veriut, Zaev ka paralajmëruar se nëse nuk do të ketë një datë , atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Për çdo vendim i cili ka të bëjë me zgjerimin e BE-së, i domosdoshëm është paraprakisht Bundestagu të japë dritën jeshile. Afati i ardhshëm për miratim të vendimit nga ana e Berlinit është 28 qershori, pas së cilës ministrat e BE-së mund ta përcaktojnë datën përfundimtare në gjysmën e dytë të korrikut, kur sërish do të takohen në Bruksel.

Zaev theksoi se raporti i Komisionit Evropian është më pozitivi deri tani për Maqedoninë e Veriut dhe se të gjithë pa përjashtim pajtohen se vendi duhet t’i fillojë negociatat për anëtarësim. Zaev shtoi gjithashtu se Qeveria e tij ka bërë përpjekje thelbësore dhe ka ndërmarrë rrezik të madh politik në procesin e miratimit të Marrëveshjes së Prespës, për të cilën duhej shumicë prej dy të tretave.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut shprehu shqetësimin se zhgënjimi që do të paraqitet te qytetarët nëse nuk do të ketë vendim pozitiv në Këshillin e BE-së do t’u japë shpresë forcave nacionaliste. Kjo sipas tij nënkupton se do të ketë qytetarë të cilët do të vendosin t’i mbështesin forcat radikale, nacionaliste, dhe kjo nuk është mirë për Maqedoninë e Veriut as për rajonin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!