Eneo Bitri ishte njëri nga autorët e golave të Partizanit, me mbrojtësin që i dha fitoren skuadrës së tij me golin e shënuar me kokë në “Kukës Arena” ndaj skuadrës vendase.
Një fitore që i rikthen demat në vendin e parë në klasifikime 12 pikë, 1 pikë më shumë se Erzeni i vendit të dytë.
Për “Oversport” mbrojtësi i kuq ishte i lumtur për fitoren, ndërsa nuk i shpëtoi dot as pyetjes mbi derbin, ku sipas tij derbi nuk luhet, por fitohet.
“Festova pranë tifozëve tanë, që ishin të shumtë në këtë ndeshje, sepse ata janë shtysa jonë dhe duam që të jenë akoma më shumë në ndeshjet e ardhshme.
Nuk besoj se Kukësi na vuri shumë në vështirësi, por rëndësi ka fitorja. Kemi krijuar shumë raste por ndonjëherë duhet të jemi cinikë. Ky është futbolli, duhet të finalizojmë rastet që na krijohen para portës.
Derbi? Nuk ka fjalë, të gjithë ia dinë rëndësinë asaj sfide. Derbi nuk luhet, derbi fitohet. Derbi nuk luhet për barazim, gjithmonë synojmë fitoren. Është shumë herët të bësh llogari, sepse pikë diferencë nuk janë asgjë.
Goli? Është një skemë e provuar në stërvitje, që e kemi provuar disa herë në stërvitje këtë javë”, ka thënë Bitri. /f.a/abcnews.al